Një 24-vjeçar shqiptar është në radhët e vullnetarëve krah ukrainasve në kufirin me Rusinë. Emanuel Bazanji, një ish-ushtar i ushtrisë shqiptare, thotë se vija ku ndodhet aktualisht është kufiri i fundit për demokracinë.

Në një reportazh të gjatë të revistës “Coffee or Die Magazine” ai thotë se “ajo që na bashkon është dashuria për lirinë, dashuria për demokracinë dhe dashuria për të ndihmuar njerëzit”.

“Ne nuk paguhemi këtu, nuk po i kërkojmë qeverisë ukrainase asgjë, ne jemi vetëm këtu për t’i ndihmuar këta njerëz të kenë një të ardhme më të mirë. Kjo është ajo që na bashkon, të shohim njerëzit të jetojnë të lumtur dhe të lirë”, tha 24-vjeçari.

Ai po stërvitet nën komandën e një ish-oficeri ushtarak gjeorgjian të quajtur Mamuka Mamulashvili. Legjioni Kombëtar i Gjeorgjisë më parë vepronte si njësi e vijës së parë në vitet e para të luftës në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës.

Tashmë e stacionuar në periferi të Kievit, kjo njësi tërësisht vullnetare është bërë një qendër rekrutimi për të huajt që nënshkruajnë kontratë shërbimi 3-vjeçare në detyrë aktive me forcat e armatosura të rregullta të Ukrainës.