Franca do të lobojë fort tek shtetet anëtare të BE-së që kornizat negociatore me Tiranën dhe Shkupin të miratohen sa më shpejt të jetë e mundur. Në një deklaratë për Klan News, Drejtori i Evropës Kontinentale në Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme Franceze, Frederic Mondoloni shprehu pakënaqësinë që kjo çështje u shty Dhjetorin e vitit të kaluar për mungesë konsensusi.

“Ne shpresojmë që kornizat negociatore me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të miratohen sa më shpejt të jetë e mundur nga këshilli evropian. Ne jemi të pakënaqur që kjo nuk u realizua në fund të vitit të kaluar. Tanimë ne jemi gati ti miratojmë këto dokumente sepse në to pasqyrohet plotësisht metodologjia e re e zgjerimit. Në rastin e Maqedonisë së Veriut shpresojmë që edhe Bullgaria të reflektojë në mënyrë që negociatat të hapen edhe zyrtarisht.”

Franca ka kërkuar vëmendje më të madhe të BE-se drejt shteteve ballkanike për të mënjanuar rolin gjithnjë e më aktiv të aktorëve të jashtëm si Rusia, Kina apo Turqia.

“Stabiliteti, mbrojtja dhe siguria janë çështje me rëndësi strategjike për këtë rajon. Prespektiva evropiane është e cënuar nga aktorë të jashtëm si Rusia, Kina apo Turqia që po investojnë gjithnjë e më shumë në këtë rajon. Ne presim që të luftohet pastrimi i parave dhe të sekuestrohen pasuritë e kriminelëve. Ne kemi marrëveshje për kontrollin e armëve ilegale në Serbi, Malin e Zi, Bosnje, Maqedoninë e Veriut ndërsa po punojmë ngushtë edhe me Shqipërinë dhe Kosovën në këtë fushë”.

Nga sondazhet e fundit rreth 59% e qytetarëve francezë nuk e shohin me interes perspektivën e pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE ndaj duket se vota e Macron për negociatat nuk do të sjellë ndonjë ndikim në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare që mbahen në këtë shtet vitin e ardhshëm.