Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike.

Basha tha se e mori këtë vendim pasi përpjekja e tij për ta mbajtur PD të bashkuar nuk arriti sukses. Megjithatë, Basha thotë se nuk do të largohet nga Partia Demokratike dhe se do të punojë për ringritjen e PD-së.

“Fatkeqësisht, përpjekja ime për ta mbajtur PD të bashkuar nuk arriti sukses. Unë dhe shumë demokratë u përballëm me një fushatë sulmesh te paparimta dhe te pavërteta si rezultat sot Partia Demokratike po përjeton një krizë të thellë.

Për këtë arsye dhe për të ndihmuar demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore. Kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD. I vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve.

Kjo nuk është një tërheqje, por një nxitje më shumë që betejën tonë për një PD të së ardhmes ta bëjmë të gjithë bashkë të zhveshur nga çdo shpifje se kjo që ka ndodhur për karrigen e kryetarit. Unë jam dhe do jem tërësisht i angazhuar krah jush, do bëj gjithçka qe ti japin forcë vizionit tonë për një Parti Demokratike që zgjedh të ardhmen

Kjo do të thotë se unë do të vazhdoj pareshtur e pa u lëkundur të punoj për këtë ringritje të Partisë Demokratike rreth vlerave, parimeve dhe standardeve tona si demokratë.

Ka nevojë që të nisë sa më parë një proces vetëdijësimi, analize dhe përbashkimi parimor më pas një proces zgjedhor i hapur, transparent, i lirë dhe i drejtë, nga baza në qendër i gjithë lidershipit të PD.

Demokratët janë të lodhur nga konflikti i brendshëm, nga fushatat dhe gjuha denigruese, nga e cila dëmtohet PD dhe Shqipëria dhe përfiton vetëm Edi Rama dhe klika e tij. 

Shqipëria meriton dhe do të ketë një PD të fortë, parimore, në krah të interesit qytetar dhe kombëtar dhe të aleatëve strategjikë. Siguroj të gjithë demokratët, simpatizantët, mbështetësit, dhe votuesit tanë se këtë hap e hedh në funksion të shërimit të plagëve të hapura padrejtësisht në zemrat e demokratëve. Me vendosmërinë e pathyeshme për të vazhduar betejën me dhe për demokratët, me dhe për Partinë Demokratike, si e vetmja shpresë për shqiptarët, për të mundur të keqen dhe për të ardhmen e Shqipërisë”, deklaroi Basha.

Vendimi i Bashës vjen pas rezultatit në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ku PD doli e treta në 5 nga 6 bashki.

Menjëherë pas shpalljes së rezultatit, disa nga figurat më të rëndësishme të PD-së që e përkrahnin Bashën si Grida Duma, Ervin Salianji, Agron Gjekmarkaj dhe Enkelejd Alibeaj kërkuan dorëheqjen e tij.

Përgjigja e Bashës ishte se do të merrej vendimi më i mirë për të ardhmen e PD-së, dhe se qëllimi është bashkimi i kësaj partie.