Projekti online, u tha se do na shpëtonte nga vonesat, sekserët, mashtrimet, falsifikimet e zyrtarët e ryshfetit, por avazi vazhdon i monopolizuar në një dorë qendrore…

Sipas ndryshimeve të shërbimit në Kadastër nga data 1 korrik 2023, sistemi sipas të cilit duhet të funksionojë ky institucion konsiston në përpunim aplikimesh nga cilado zyre rrethi, pavarësisht se në cilën bashki është pasuria për të cilën aplikohet.

Është për t’u përshëndetur ideja, por shërbimi faktik nuk ka asnjë lidhje me idenë “kadastra pa sportel e pa ndarje territori”, për të cilën u iniciua ky projekt, që Babloku tha se do na shpëtonte nga vonesat, sekserët, mashtrimet, falsifikimet e zyrtarët ryshfetxhinj.

Ajo që aktualisht po ndodh në zyrat e Kadastrës, është vetëm kaos, madje më keq së para fillimit të shërbimit pa sportele e dosje që aplikohen në kadastrat Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër, por mund të trajtohen nga kadastrat në Kukës, Korçë, Dibër e Sarandë.

Konkretisht, qytetarët nuk po marrin shërbime, janë bllokuar e për ta nuk ka asnjë sqarim, duke krijuar raport “memec” që jo vetëm nuk zgjidh asnjë kërkesë, por të lë në pritje e pa përgjigje, më keq se në kohën e Artan Lames.

Kur flasim për trajtim kërkesash, kuptojmë sa realisht janë shqyrtuar dhe jo sa janë hequr qafe nga specialistët e kadastrës. A kanë faj specialistët?

Është pyetje pa përgjigje, sepse nuk është e lehtë të trajtosh prona të cilave nuk u njeh historikun të mbushur me konflikte e procese gjyqësore.

P.sh., një pronë të Tiranës, sistemi e shorton për t’u trajtuar në Dibër, por specialistët e Dibrës nuk kanë informacion për problematikat e pronës në Tiranë, dhe detyrohen të kthejnë përgjigjet shabllone: “Ka mangësi dokumentesh”; “Nuk është kompetenca jonë”; “Apliko përsëri” etj., etj.

Ka raste, që qytetarët kanë marrë të njëjtat përgjigje zvarritëse, ndërsa drejtoria qendrore e Kadastrës është spektatore, sepse nuk e administron dot këtë sistem shërbimi, me të cilin pronat e Hasit, t’i trajtojë e regjistrojë Kadastra e Ersekës.
Po cilët i drejtojnë punët në zyrat Kadastrale dhe si janë përzgjedhur dhe emëruar, sipas standardit të drejtor Deart Qorit të Shkodrës?

Deart Qori, “kollovari” nga Tirana rrit pazaret në kadastrën e Shkodrës.
Përse, për të nisur punë në Kadastër, apo për të bërë një regjistrim në afat ligjor e pa aplikim në sistemin online “Pa sportel”, duhet të kesh miqësi dhe të paguash tek sekserët…?