Autoritetet në Izrael vendosën të rikthejnë detyrimin për të mbajtur maskat në ambientet e brendshme pas rritjes së ndjeshme të rasteve me koronavirus.

Vendimi erdhi vetëm disa ditë pasi autoritetet shëndetësor hoqën pjesë më të madhe të masave shtrënguese kundër pandemisë.

Shqetësimi u rikthye rishtas në Izrael pas regjistrimit për disa ditë me radhë të 100 rasteve të reja me Covid-19, në një kohë kur në fillim të muajit ishin pothuajse zero.

Sipas të dhënave, pjesa më e madhe e të infektuarve janë prekur nga varianti Delta, që dyshohet se ka hyrë nga jashtë.

Izraeli është një nga vendet që e përballoi më se miri pandeminë. Ai nisi një program vaksinimi shumë herët dhe tashmë pjesa më e madhe e popullsisë është e imunizuar.