Gjykata Kushtetuese ka reaguar në lidhje me reagimin që solli vendimi i saj për të kërkuar një mendim nga Komisioni i Venecias në lidhje me zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.

Sipas Kushtetuese, objekti dhe çështjet për të cilat u vendos të kërkohet ky opinion janë të ndryshme nga çështjet e trajtuara në opinionet e mëparshme të Komisionit të Venecies.

Kushtetuesja shton se çështja mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019 është e një natyre unike dhe këshillimi me organe të specializuara u konsiderua i nevojshëm nga kjo Gjykatë.

“Gjykata konstaton se debati jokonstruktiv i ditëve të fundit jo vetëm që nuk i shërben kësaj klime besimi, por, përkundrazi, mund të perceptohet si përpjekje për ta përfshirë atë në debate me ngjyrime politike, të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrjen e saj në lidhje me themelin e çështjes dhe si ndërhyrje në pavarësinë e saj”, shkruhet mes të tjerash në njoftimin e Kushtetuese.