Turqia dhe Greqia, dy nga rivalët më të mëdhenj të Mesdheut, duket po përgatiten për përplasjen e radhës mes tyre. Duke iu frikësuar një përballje ushtarake me Ankaranë, Athina ka vendosur të armatoset, duke blerë avionë, mjete ushtarake dhe armë.

Athina zyrtare mësohet se është në bisedime me Francën dhe një sërë vendesh të tjera mbi blerjet e armëve për të fuqizuar forcat e saj të armatosura, ndërkohë që tensionet me Turqinë në rajonin e Mesdheut Lindor vijnë duke u rritur.

Një ditë më parë, ministri grek i Financave tha se vendi është i gatshëm të shpenzojë një pjesë të rezervave në blerjet e armëve dhe mjete të tjera ushtarake, pas viteve të tëra shtrëngimi ekonomik.

“Ne jemi në bisedime me Francën, dhe jo vetëm me Francën, në mënyrë që të rrisim potencialin e mbrojtjes së vendit tonë”, tha një zyrtar grek për Reuters. “Brenda kësaj kornize, po diskutojmë edhe për blerjen e avionëve.”

Ndërkohë, mediat greke shkruajnë se Athina kishte rënë dakord për të blerë 18 avionë luftarakë të prodhuar nga kompania franceze “Dassault Rafale”.

Përplasja me Greqinë mbi kufijtë detarë dhe rezervat e gazit natyror ka alarmuar Greqinë, e cila duket se po përgatitet për mundësinë e një incidenti ushtarak. Si Greqia, ashtu edhe Turqia kanë investuar në shuma të mëdha parash për fuqizimin e ushtrisë dhe flotës detare.

Turqia ka nisur ndërtimin e luftanijeve dhe fregatave ndërkohë që Greqia po lobon për hapjen e bazave amerikane. Por dhe pse është vendi i dytë që kontribuon më shumë në NATO dhe është shtëpia e disa bazave amerikane, Greqia vazhdon të ndihet e rrezikuar nga përplasjet me Turqinë.

Forcat e armatosura të Greqisë vlerësohet të jenë gjithsej 360.500 personel, sa gjysma e Turqisë, e cila ka afërsisht 735,000 ushtarë.

Tensionet mes dy vendeve u përshkallëzuan muajin e kaluar pasi Ankaraja dërgoi anijen sizmike të kërkimit të naftës Oruc Reis afër Kretës.

Franca dhe Gjermania janë përpjekur të ndërmjetësojnë për të zbutur tensionin, ndërkohë që kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis zhvilloi dy biseda me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump javën e kaluar.

Të hënën në mbrëmje, Turqia zgjati punën e anijes Oruc Reis deri më 12 shtator. Ministria e jashtme e Greqisë e quajti vendimin të paligjshëm dhe i kërkoi Turqisë “të heqë dorë nga lëvizjet që cënojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajon”.

Sa e fuqishme është ushtria greke?

Mund të thuhet se Greqia ka më shumë se 1.500 tanke në arsenalin e saj ushtarak, dyfishi i Britanisë së Madhe. Kjo ka ardhur për shkak të nevojës për t’u krahasuar me Turqinë  dhe forcën e saj ushtarake.

Të dyja vendet kanë një gamë të ngjashme nëndetësesh, anijeve patrulluese, fregatash, por aftësitë detare të Greqisë janë më të kufizuara se ato të Turqia, pasi shumë anije janë të vjetruara.

Dhe që nga kriza financiare e Greqisë, përpjekjet për modernizimin detar kanë qenë të ngadaltë. Athina, megjithatë, ka avantazhin e të pasur aleatëve rajonalë, pasi ka në krahun e saj Egjiptin, Izraelin, Qipron Greke, Italinë dhe Jordaninë. Por me gjithë investimet e saj, Greqia nuk do ta përballonte kurrë e vetme ushtarakisht Turqinë.

Sa e fuqishme është marina turke?

Marina turke konsiderohet një nga katër marinat më të forta në Mesdhe. Gjatë dy dekadave të fundit, Turqia ka zgjeruar aftësitë e saj detare, veçanërisht pasi tensionet në Mesdheun Lindor janë përshkallëzuar.

Për pjesën më të madhe të shekullit XX, zhvillimi detar nuk ishte përparësi për Turqinë. Lideri historik i Turqisë Mustafa Kemal Ataturk dhe pasardhësit e tij, përveç anëtarësimit të Turqisë në NATO, kufizuan zhvillimin e aftësive detare. Ankaraja nuk e ndjeu nevojën për të zgjeruar flotën e saj detare përtej aftësisë për të mbrojtur ngushticat turke, Detin e Marmara dhe Detin Egje. Një nga parimet kryesore të Ataturkut ishte “Paqe në shtëpi, Paqe në botë”, një moton që e lejonte Ankaranë të përqendrohej në reformat e brendshme infrastrukturore dhe sociale. Por qeveria e tanishme ka provuar se do ta ndryshojë këtë strategji, duke përmirësuar aftësitë detare të Ankarasë.

Sidoqoftë, gjeografia mbetet një pengesë kryesore në fuqizimin e saj detar. Vija bregdetare turke është e gjatë por qasja e saj në Mesdhe është e kufizuar nga një seri ishujsh grekë, të vendosura më pak se 72 kilometra nga territori turk. Prandaj marina turke është përqendruar kryesisht në mbrojtjen bregdetare.

Që nga viti 2014, ajo ka zgjeruar praninë detare në Mesdhe, duke bllokuar, ndjekur apo u përplasur me shumë anije greke. Aftësitë detare të Turqisë janë përmirësuar dukshëm përgjatë viteve të fundit. Kapaciteti i saj industrial i brendshëm është rritur dhe marina e tij është përmirësuar me pajisje të reja, nëndetëse dhe luftanije. Që nga viti 2007, Turqia ka trefishuar shpenzimet e saj për kërkime ushtarake, të cilat arritën në 1.2 miliard dollarë në vitin 2018.

Buxheti i mbrojtjes së Turqisë arriti në 19 miliard dollarë në vitin 2019, një rritje prej 24 për qind në krahasim me një vit më parë. Për më tepër, Ankaraja ka prezantuar edhe një projekt ambicioz për të prodhuar brenda vendit fregata për marinën turke. Si një tregues se sa ambicioz është ky projekt, Turqia planifikon të ndërtojë 24 anije të reja, 12 fregata, 1 aeroplanmbajtës dhe shumica pritet të ndërtohen deri në vitin 2023.

Vendi po ndërton gjithashtu gjashtë nëndetëse të reja dhe një seri avionësh luftarakë. Ndërtimi i këtyre anijeve i jep Turqisë një përparësi të jashtëzakonshme, pasi ato mund të shoqërojnë anijet e shpimit të naftës ku ekziston rreziku i përplasjes me Greqinë.

Turqia gjithashtu ka filluar të promovojë pajisjet e saj të prodhuara brenda vendit jashtë vendit, në përpjekje për të eksportuar armë në nivel global, strategji e cila do t’i jepte vendit një nxitje ekonomike dhe do ta ndihmonte atë të pozicionohej si një fuqi ushtarake botërore.

Ankaraja gjithashtu shpreson të ndërtojë një bazë detare në Qipron Veriore, me gjasë në qytetin e Famagustas. Kjo bazë është e një rëndësie të jashtëzakonshme për Turqinë, pasi do t’i lejonte Ankarasë të zgjeronte logjistikën e saj detare në Mesdhe. Për më tepër, Republika Turke e Qipros Veriore është duke rinovuar portin e braktisur të Maras në Famagusta me një kosto prej 10 miliardë dollarësh me mbështetjen e Turqisë.