Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë në Qafën e Muzinës. Përplasja mes një fuoristrade dhe një furgoni të linjës Tiranë-Sarandë, bëri që ky i fundit të përfundonte në greminë.

Për pasojë, policia thotë se 5 persona, 2 gra dhe 3 burra, që udhëtonin në këtë mjet kanë gjetur vdekjen.

Paraprakisht dyshohet se në furgon ndodheshin gjithsej 9 persona, shoferi dhe 8 pasagjerë. Drejtuesi i mjetit është identifikuar si Bardhyl Proda dhe mësohet se është në mesin e viktimave.

Të aksidentuarve u erdhën në ndihmë fillimisht kalimtarë të rastit, më pas zjarrfikësja dhe ekipet e emergjencës nga Gjirokastra.

Rrethanat e plota të këtij aksidenti nuk dihen ende. Në fuoristradën që drejtohej nga një grua me iniciale R. Ç., mësohet se udhëtonin edhe dy shtetas të huaj.