Bledar Doracaj, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, tregoi për Ilva Now se çfarë po ndodh me sistemin e adresave disa muaj përpara zgjedhjeve, pse ka ankesa të qytetarëve për ndryshim pa dijeni të tyre dhe se si po punohet për korrigjimin e këtij problemi.

Doracaj tha se prej 30 vitesh që sistemi i adresave nuk punon dhe qytetarët janë marrë vesh me pika referimi popullor. Ai tregoi se në vitin 2016 qeveria akordoi një fond për krijimin e një sistemi të ri adresash, procesi kishte të bënte me intervistim në terren të qytetarëve dhe se në vitin 2019 nisi implementimi i projektit duke bashkuar dy regjistrat, regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe atë të adresave.

“Gjatë bashkimit të dy regjistrave… është një numër i konsideruar… nuk dua të hidhem te shifrat, nuk është gabim as mbivendosje, është një numër qytetarësh që nuk janë gjendur në adresën ku jetojnë apo ku janë deklaruar, por në një adresë tjetër. Gjatë bashkimit të regjistrave qytetarët që janë gjetur gjatë intervistimit u konstatua se ata nuk banojnë aty ku e kanë deklaruar, dhe ku janë bashkuar regjistrat u del se vendbanimi u del si për shembull te njësia 5 në Tiranë dhe adresa u del në Kavajë, Vlorë… qytetarëve që kanë shtëpi të dyta,” – u shpreh Doracaj duke këmbëngulur se askush nuk ka ndryshuar vendbanimin.

“Vendbanimi ndryshohet duke u paraqitur vetë me dokumentacion përkatës te zyra e gjendjes civile ku do të shkojë, ky është një konflikt që është krijuar te adresat, që do të thotë rrjedhimisht as qendrat e votimit as lista e zgjedhjeve, aty ku kanë votuar në 2019-ën, 2017-ën… do të votojnë edhe në 2021-in atje ku kanë votuar, vetëm nëse e kanë ndryshuar vetë vendbanimin më pas,” – tha Doracaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile tha më tej se adresa është e domosdoshme për raste ligjore si për shembull situatat e gjyqeve, ku njoftimet bëhen me postë dhe qytetarët mund të ankohen më pas se nuk janë njoftuar.

“Qytetarëve u kërkohet me zero kosto financiare, të shkojnë në zyrat e gjendjes civile ku ka vendbanimit dhe të çojnë një fotokopje të dokumentit të pronësisë së shtëpisë apo kontratës së qirasë, është e saktësueshme,” – tha Doracaj duke refuzuar ta konsiderojë gabim, apo korrigjim.

Ai këmbënguli se ka pasur korrektesë dhe punë të mirë nga stafi i tij për të regjistruar adresat, duke shtuar se nuk ka vend për shqetësim për sa i përket listave të zgjedhjeve apo procesit zgjedhor.

“Të gjithë ata që kanë probleme me adresat, nuk kanë probleme me zgjedhjet, ata do jenë aty ku kanë qenë,” – këmbënguli Doracaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile kërkoi që qytetarët të mos nxitohen përpara akuzave që mund të ngrenë, por të verifikojnë në e-Albania.

Doracaj u shpreh i hapur për çdo lloj padie që u paralajmërua nga opozita për “përdorim elektoral” të zyrave të shtetit. Ai shtoi se për të gjitha pretendimet ka kërkuar që të hetohet pasi saktësimi i adresave është detyrim ligjor për qytetarët.