Nuk ndalet rritja e rasteve të reja më Covid-19 në Shqipëri. Gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 694 të infektuar nga 2560 testime që janë kryer.

Rastet pozitive të konfirmuara janë 334 raste në Tiranë, 41 në Berat, 39 në Fier, 36 në Lushnje, 32 në Vlorë, nga 28 raste në Durrës, Gramsh, 19 në Kavajë, 17 në Sarandë, 14 në Mallakastër, 13 në Krujë, nga 12 raste në Kurbin, Mirditë, Gjirokastër, nga 10 raste në Lezhë, Pogradec, nga 7 raste në Kukës, Kuçovë, 6 në Korçë, 5 në Shkodër, nga 3 raste në Has, Pukë, nga 1 rast në Elbasan, Tropojë, Përmet, Dibër, Bulqizë, Peqin.

Për fat të keq, 6 persona humbën jetën si pasojë e sëmundjes së koronavirusit. Viktimat janë mjeku 66-vjeçar Ilirjan Draçi, një 28-vjeçare, një 61-vjeçare, një 76-vjeçare, dhe një 78-vjeçar nga Tirana dhe një 63-vjeçare nga Elbasani.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 351 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 13,804 që nga fillimi i epidemisë.

Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 412 pacientë, 13 në terapi intensive, nga të cilët 3 të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë qytetarëve që janë të konfirmuar ose në pritje të përgjigjes së testit, të qëndrojnë të izoluar, duke respektuar detyrimin e vetëkarantinimit.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur ditën e sotme të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura, të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet, konferencat, ceremonitë e festave, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej familjare të ceremonive mortore, deri në një urdhër të dytë.