16-vjeçari Mariglen Gjonaj, i zhdukur në mënyrë misterioze në vitin 2015 është vrarë, ka konfirmuar Policia.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Vehbi Bushati ka deklaruar se janë gjetur eshtra dhe mbetjet kockore humane, të cilat pas ekspertimit biologjik, rezultoi se i përkisnin të zhdukurit 7 vjet më parë, të miturit 16-vjeçar Mariglen Gjonaj.

Pas hetimeve është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të ngjarjes, 30-vjeçarit Kristjan Cenaj, lindur në Mamurras dhe banues në Ferrë Trashë, Kurbin.

Policia konfirmon se ndalimi tij është bërë pasi më datë 18.05.2015, Kristjan Cenaj dyshohet se ka vrarë të miturin 16-vjeçar Mariglen Gjonaj, për përfitim pasuror, konkretisht vjedhjen e disa sendeve me vlerë, si orë dore e markës Rolex dhe varëse floriri etj, që i mituri i ka patur me vete ditën e ngjarjes kur është zhdukur.

Në konferencën për mediat, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Vehbi Bushati thotë se autori i dyshuar e ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, por shton se Policia dhe Prokuroria kanë prova të cilat dëshmojnë fajësinë e tij.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Vehbi Bushati: Jam sot këtu, bashkë me prokurorin, për t’ju komunikuar rezultatet e operacionit policor të koduar “PRITJA”, i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë Kurbin dhe Institutin e Policisë Shkencore, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në vitin 2015, në Kurbin, ku është vrarë një shtetas i mitur 16 vjeç.

Strukturat e Hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura më parë, kanë vijuar hetimet intensive në bashkëpunim me Prokurorinë Kurbin dhe si rezultat i një hetimi disavjeçar është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore, i ngjarjes së ndodhur në vitin 2015, në Kurbin, ku u zhduk në rrethana misterioze shtetasi i mitur Mariglen Gjonaj.

Më datë 19.05.2015, ka rezultuar se në Komisariatin e Policisë Kurbin, ka bërë kallëzim shtetasi F. Gj., se nipi i tij, shtetasi Mariglen Gjonaj, i vitlindjes 1999, banues në fshatin Ferrë Trashë, Kurbin, ishte zhdukur dhe kishin humbur çdo kontakt me të.

Lidhur me këtë kallëzim, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin ka regjistruar procedimin për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja e peng e personit” dhe më pas ia ka transferuar dosjen hetimore Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tiranë, bazuar në kompetencën lëndore, për shkak se në momentin e ngjarjes, shtetasi Mariglen Gjonaj ishte i mitur (16 vjeç).

Pas hetimit  2-vjeçar nga ana e Prokurorisë për Krimet e Rënda është vendosur pezullimi i hetimeve, pasi nuk ishte bërë i mundur identifikimi i autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale dhe dosja hetimore e pezulluar i ka kaluar strukturave të specializuara të hetimit të DVP Lezhë, për veprime të mëtejshme për zbulim autori.

Në vijim të veprimeve hetimore ka rezultuar së më datë 03.04.2022, në vendin e quajtur “Shëllinx”, në afërsi të Hidrovorit, në fshatin Adriatik,  Njësia Administrative Fushë Kuqe, Kurbin, u gjetën eshtra dhe mbetje kockore humane, të cilat pas ekspertimit biologjik, rezultoi se i përkisnin shtetasit të zhdukur 7 vjet më parë, të miturit 16-vjeçar Mariglen Gjonaj.

Pas rifillimit të hetimeve nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kurbin, strukturat e hetimit të DVP Lezhë, duke angazhuar ekspertët më të mirë, si dhe duke përdorur metodat speciale të hetimit, nëpërmjet kryerjes së veprimeve të shumta hetimore, marrjes së dëshmive, ballafaqimeve, si dhe analizës së tabulateve dhe qelizave telefonike, në interes të këtij hetimi, kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes, shtetasit Kristjan Cenaj, 30 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Ferrë Trashë, Kurbin.

Në këto rrethana, më datë 10.10.2022 është bërë ndalimi i shtetasit Kristian Cenaj, i datëlindjes 10.12.1992, lindur dhe banues në Mamurras, Kurbin, për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen”, parashikuar nga neni 141 i Kodit Penal.

Ndalimi tij është bërë pasi më datë 18.05.2015, shtetasi në fjalë dyshohet se ka vrarë të miturin 16-vjeçar Mariglen Gjonaj, për përfitim pasuror, konkretisht vjedhjen e disa sendeve me vlerë, si orë dore e markes Rolex dhe varëse floriri etj, që i mituri i ka patur me vete ditën e ngjarjes kur është zhdukur.