Balli Kombëtar Demokrat, të hënën, më 10 tetor, mori pjesë në tryezën e koalicionit Opozitar të udhëhequr nga Partia Demokratike.

Opozita Shqiptare po krijon një realitet të ri politik duke bashkuar çdo rrymë energjie politike. Ne nuk mund të jemi jasht këtij realiteti.

Sot çdo faktor politik opozitar duhet të tejkalojë veten përtej çdo rezerve politike ndaj njëri-tjetrit dhe të bashkohet në një Front Opozitar kundër Qeverisë që mban të ngërdheshur varfërinë si një fenomen që cënon ekzistencën e jetëve tona.

Politika shqiptare nuk mund të dalë jashtë ligjësisë politike. E djathta ekziston po aq sa e majta, pavarësisht iluzionit që ka krijuar Qeveria nga propaganda e saj, se e djathta dhe majta është vetëm ajo.

Një nga parimet e filozofisë që ne udhëhiqemi, ajo e konservatorizmit modern europian, është parimi i vazhdimësisë.

Ne kemi qenë në koalicion me PD në zgjedhjet e fundit parlamentare. Po ashtu, si në çdo palë zgjedhjesh në historinë e pluralizmit shqiptar, ne do të ruajmë këtë bashkëpunim në këndshikimin e ndërveprimit të filozofive tona politike respektive, asaj liberale të PD dhe asaj konservatore moderne europiane të PBKD.

Ne kemi kurajon të njohim realitetin politik brenda PD, ku z. Berisha brenda një kohe rekord, e dominoi atë, edhe pse në kondita të disfavorshme duke e mbështetur fuqinë e tij mbi intesitetin e një pune konstante që e karakterizon atë.

Qëndrimi politik i Ballit Kombëtar Demokrat në lidhje me garën se kush do të dominonte PD, Berisha apo Basha, ka qenë i qartë që në fillimin e kësaj situate.

Ne bashkëpunojmë me lidershipin që qeveris PD si institucion politik, që do të thotë, me PD si forcë politike e qendrës së djathtë, kushdo që të jetë kryetari i saj.

Është e drejta e PD të zgjedhë dhe të ndjekë lidershipin që dëshiron.

Ne respektojmë vendimin e tyre.

Ne do të japim kontributin tonë politik në bashkëpunim me PD dhe gjithë Opozitën, në përputhje me interesat e njerëzve tanë që përfaqësojmë politikisht, edhe për fitoren e zgjedhjeve lokale të ardhshme.

Artur Roshi

(Kryetar i Ballit Kombëtar Demokrat)