Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi këtë të premte në një konferencë për mediet se pjesëmarrja në protestën e djeshme tregoi se qytetarët kanë kuptuar mashtrimet dhe grabitjet e qeverisë Rama.

“Qeveria shqiptare, të nderuar qytetarë, ka vazhduar deri në 2020 që ka paguar inceneratorin e Fierit. 2.5 mln euro në inceneratorin e Fierit janë fatura false të Klodian Zotot. Janë kaq të pastra në dritën e diellit, sa që qeveria e Ramës është kapur me presh në dorë. Pjesëmarrja në protestën e djeshme është se qytetarët kanë kuptuar mashtrimet dhe grabitjet e qeverisë”, u shpreh Kryemadhi.

Teksa përmendi aferën inceneratorëve, ajo i bëri thirrje SPAK që të vijojë me hetimet.

“Pasi po i grabit çdo ditë me inceneratorët i ka grabitur identitetin, duke vendosur pensionistë të pafajshëm, njerëz që presin ndihmën ekonomike në listën e përfituesve. I bëj SPAK që mos ta zgjasë më kontratën. Çdo ditë që zgjatet kontratat, i grabitet shqiptarëve 80 mijë dollarë në ditë. Ajo që dua të theksoj është se vepra penale e inceneteratorit të Tiranës, deri në sekondën e fundit quhet vepër penale. Veliaj nuk shpëton deri në sekondën e fundit të këtij koncesioni 30 vjeçar. S’ka njeri që t’i grabisë shqiptarët me një firmë të vetme dhe t’i detyrojë ata që ti mbajë peng me një koncesion 30-vjeçar. dhe t’i përdorë paratë për lobingje, apo për pastrim parash”, tha ajo.