Këtë vit 1000 çifte  të reja të martuara në Tiranë do të marrin shtëpi me kredi të butë. Të tilla kredi prej kohësh  dhe në vijim marrin edhe familjet e varfëra, me pak të ardhura ose sipërfaqe të vogla banimi. Në një intervistë për gazetën “Si”, Drejtoresha e  e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale në bashkinë e Tiranës tregon arsyet dhe kushtet që kjo kategori plotëson për të përfituar.

Si funksionon kredia e butë? Cilat janë shumat dhe normat e interesit?

Kredia e butë, apo siç njihet në gjuhën teknike programi i Subvencionimit të Interesave të Kredisë (SIK), është një mekanizëm social i krijuar për t’i ardhur në ndihmë një grupi njerëzish me të ardhura mesatare, por të pakonsoliduara, që të gjejnë për veten apo familjen, një strehim dinjitoz.

Shteti del garant tek bankat e nivelit të dytë duke paguar çdo interes mbi 3% të kredisë së marrë duke ulur ndjeshëm këstin veçanërisht pas 3 viteve të para. Shteti si garant gjithashtu bën të mundur një zgjatje të afatit i cili nëse për një kredi normale është 20-25 vite, me programin SIK bëhet 25-30 vite. Kjo e ul edhe më shumë këstin e paguar i cili bëhet kështu krejt i përballueshëm nga një familje me të ardhura nën mesataren apo në mesataren e përgjithshme.

Cilat janë kritetet e plota mbi të cilat zgjidhen çiftet?

Anisa Subashi Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale, bashkia Tiranë

Kriteret për përfitimin e Subvencionimit të interesave të kredisë: Individë të cilët kanë mbushur moshën 18 vjeç. Familje/individë që nuk kanë në pronësi një banesë ose zotërojnë sipërfaqe nën normat e strehimit. Struktura e apartamentit, maksimale poshtë të cilës përfitonë kredi është 3+1 për një  familje  me 5-6 veta dhe minimum garsonier për një  familje me 2 veta. Nga kredia përfitojnë edhe familje që zotërojnë të ardhura brenda kufirit max dhe minimal të miratuar. Këto të ardhura variojnë nga31 mijë lekë për një familje me 2 persona deri në rreth 53 mijë lekë për një familje me 5-6 persona. Përparësi kanë çiftet e reja me moshë jo më të madhe se 35 vjeç, minoriteti rom dhe egjiptian dhe gra kryefamiljare.

Fituesit e zgjedhin vetë banesën në treg të lirë?

Po, çdo qytetar ka mundësi të zgjedhë vetë, sipas nevojave të tij një banesë aty ku e sheh më të përshtatshme për kushtet në të cilat ndodhet. Sidoqoftë nuk duhet të anashkalojmë faktin se ky është një progam social dhe është llogaritur që përmes tij të ndihmohen familjet në nevojë. Shuma e akorduar nuk është për të plotësuar kushte përtej asaj çfarë është e nevojshme për një jetesë dinjitoze.

Apartamentet duhet të jenë brenda Bashkisë Tiranë, pa e kaluar kufirin e saj administrativ. Pra konkretisht në çdonjërën prej 27 njësive administrative që e përbëjnë.

Mund të aplikohet në çdo bankë?

Mund të aplikohet tek Banka Raiffeisen, BKT dhe Intesa San Paolo.

Cili është roli i bashkisë përveçse zgjedh familjet?

Bashkia është përpjekur, që nga ato aplikime që kanë ardhur, t’u japë prioritet familjeve më në nevojë. Por kjo jo detyrimisht ka skualifikuar grupet e tjera shoqërore. Pra pavarësisht se për shembull i është dhënë prioritet familjeve njëprindërore apo çifteve me moshë të përbashkët nën 70 vjeç, kjo nuk do të thotë se janë penalizuar ato me moshë të përbashkët mbi 70 vjeç.

Sa familje të tilla do të përfitojnë në një vit?

Këtë vit ne kemi gati rreth 1.000 familjet e para.

Sa e ndihmon strehimin kjo nismë? Sa çifte të reja krijohen në një vit në Tiranë dhe sa është pjesa e të pastrehëve gjithësej, ose atyre që nuk kanë mundësi financiare të kenë një banesë?

Ky është një program optimal për të gjithë ato familje që kanë një burim të qëndrueshëm të ardhurash por me to nuk arrijnë të përballojnë një kreditim normal. Kjo zakonisht është ajo fashë e cila përbëhet nga çifte të reja apo nëna kryefamiljare të cilat në kushtet e ofertave aktuale të tregut do e kishin të vështire strehimin e qendrueshëm.

Ne llogarisim që çdo vit Tirana shtohet me nga 20.000 individë të rinj. Këto janë kryesisht të rinj në moshë të cilët, pasi kanë kryer studimet universitare, vendosin të shpërngulen përfundimisht në kryeqytet për mundësi më të mira punësimi. Vetëm në vitin 2019 në Tiranë janë krijuar rreth 8.500 familje të reja. Përmes këtij programi ne përmbushin 1/8 e nevojave vjetore.