Kryeministri Edi Rama ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, pas ngjarjes së rëndë ku 25-vjeçari Klodian Rasha u vra nga një punonjës i policisë.

Gjatë fjalimit të tij lidhur me rastin, Kryeministri Rama tha se ministri i Brendshëm Lleshaj i kishte paraqitur dorëheqjen që pas ngjarjes, mirëpo ai i kishte kërkuar që të mbetej në detyrë, së paku deri në kthimin e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kështu pesë muaj përpara zgjedhjeve parlamentare, qeveria e kryeministrit Rama do të ndryshojë ministrin e brendshëm për herë të dytë brenda një mandati.

Lleshaj u emërua ministër i Brendshëm më 28 nëntor 2018, një ditë pas largimit nga detyra të Fatmir Xhafajt. Ky i fundit qe vënë nën trysni nga opozita për shkak se i vëllai i tij rezultonte i dënuar në Itali.