Kryeministri Edi Rama mbrojti policinë e shtetit duke hedhur poshtë sugjerimet se vrasja e 25-vjeçarit Klodjan Rasha nga një oficer policie janë rrjedhojë e një tendence dhune policore mbi popullsinë dhe e konsideroi vrasjen si një ngjarje të izoluar. Rama mbajti një fjalim që zgjati për shumë minuta, në të cilat përdori togfjalësha me rimë në mbrojtje të vetvetes.

Në mes të fjalive të gjata poetike, kryeministri njoftoi se Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i ka ofruar dorëheqjen e tij që në ditën e ngjarjes, por se ky fakt nuk është bërë publik pasi Rama dëshironte ta shihte në sy.

“Policia është e shtetit dhe jo e pushtetit,” “jo shembullit të forcës, por forcës së shembullit,” ishin disa nga fjalitë me rimë të thëna nga Rama, i cili e konsideroi ngjarjen një “përjashtim tragjik që përforcon rregullin e këtyre viteve se policia e shtetit mbron qytetarët.”

Fjalimi i Ramës ndodhi në një kohë kur Shqipëria hyri në një ditë të dytë përplasjesh sporadike mes të rinjve protestues dhe forcave të policisë.