Pas rritjes së numrit të infektimeve ditore me Covid dhe urdhrit të kryeministrit Edi Rama për të monitoruar çdo aktivitet, përfshirë dhe ato politike ku nuk respektohen masat anti-Covid, policia ka intensifikuar kontrollet dhe gjobat.

Gjobitjes për shkak të shkeljes së masave nuk i ka shpëtuar dhe një aktivitet ku merrte pjesë vetë Presidenti i Republikës.

Ilir Meta ishte i ftuar nga shoqata Durrësi për të dekoruar një personalitet të këtij qyteti në fushën e arkeologjisë. Por numri i madh i pjesëmarrësve, shumë më tepër se ai i lejuar nga Komiteti i Ekspertëve, ka bërë që policia të ndërhyjë për të ndëshkuar kreu e shoqatës që organizoi aktivitetin në Pallatin e Kulturës së Durrësit.

Por kjo pasi aktiviteti përfundoi dhe vetë kreu i shtetit ishte i larguar, por jo stafi i tij që nuk kanë ngurruar që të debatojnë me policët.

Aktivitetet elektorale që janë intensifikuar për shkak të afrimit të datës së zgjedhjeve dhe në pjesën më të madhe të tyre nuk respektohet as distancimi fizik, as mbajtja e maskave dhe aq më pak numri i përcaktuar në aktin normativ prej 10 personash.

Meta: Arbitrare dhe politike

Lidhur me gjobën prej 500 mijë kekësh të vendosur për kryetarin e shoqatës Durrësi, ka reaguar Presidenti Meta.

Ai e cilëson si arbitrare dhe tërësisht politike. Duke publikuar një foto nga aktiviteti Kreu i Shtetit shkruan se është marrë leje nga bashkia e Durrësit për të dhe janë respektuar masat anti-Covid.

Meta ka garantuar kreun e shoqatës Durrësi se do ta mbështesë ne procedurat ligjore për të kundërshtuar këtë masë por dhe vendosjen përpara përgjegjësisë  ata që funksionin e tyre shtetëror e përdorin për politik, shantazhe e presion ndaj qytetarëve.