Gjykata e Lartë tashmë ka 11 anëtarë. Presidenti Ilir Meta ka dekretuar Gentian Medjan për të veshur tunikën e gjyqtarit në shkallën e tretë të gjyqësorit. Argumentet presidenciale kritikonin qeverinë e gjyqësorit për standardin e ndjekur.

“Presidenti i Republikës, pavarësisht këtij dekretimi, shpreh rezervën e tij lidhur me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, mbi vonesat e pajustifikuara të krijuara në plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore. Tejzgjatja e një procedure për rritjen në detyrë për një periudhë 2 vjeçare nga KLGJ është një standard i papranueshëm”.

Krahas kritikave për KLGJ, Presidenti ka edhe një thirrje për Gjykatën e Lartë ku kërkon që të plotësojë vakancat në Gjykatën Kushtetuese.

“Me emërimin e anëtarit të 11-të të saj, kjo gjykatë duhet të zhvillojë Mbledhjen e Posaçme të Gjyqtarëve, për të votuar e zgjedhur sipas Kushtetutës dhe Ligjit, anëtarin më të ri të Gjykatës Kushtetuese, sipas listës së propozuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi që prej 30 dhjetorit 2021”.

Tashmë, pas gati gjashtë vitesh nga miratimi i reformës në drejtësi, Gjykata Kushtetuese pritet të plotësohet me kuorum të plotë ku tre tunika kushtetuese prej vitesh kishin mbetur në dollap pasi Gjykata e Lartë nuk kishte kuorumin e nevojshëm të vendimmarrjes.