Gjykata Kushtetuese cakton datën 18 janar 2022 si ditën kur do të shqyrtojë vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Në fillim të muajit qershor Kuvendi votoi me 104 vota raportin e komisionit hetimor pro shkarkimit të presidentit. Sipas shumicës shkeljet e Ilir Metës gjatë fushatës elektorale, gjuha e përdorur dhe në disa raste tejkalimi i kompetencave, ishin shkaqet kryesore për ta shkarkuar.

Kjo është tentativa e dytë e socialistëve për të shkarkuar Ilir Metën, ku u treguan më të vendosur.

Tentativa e parë e mazhorancës socialiste për të shkarkuar presidentin ishte ajo e vitit 2019, ku Ilir Meta firmosi dekretin që shfuqizonte datën e zgjedhjeve vendore, akt i cili nuk u njoh as nga parlamenti e as nga ndërkombëtarët dhe socialistët morën drejtimin e 60 bashkive.