Në muajin shtator Gjykatat Kushtetuese duhet të ishte me 7 anëtar. Ky ishte parashikimi i qeverisë në planin e veprimit për integrimin evropian ku synonte të përshpejtonte hapat deri në caktimin e një date për nisjen zyrtarisht të bisedimeve për anëtarësim.

Por gjërat jo gjithmonë parashikohen e sidomos për Gjykatën Kushtetuese ku në 4 vjet u zgjodhën 4 anëtar dhe njëri prej tyre u shkarkua nga vettingu.

Kësisoj Gjykata Kushtetuese do të jetë e bllokuar edhe për një kohë të gjatë duke koklavitur edhe më tej dy çështje madhore për vendin, mbrojtjen e kushtetutës dhe integrimin në Bashkimin Evropian.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nisi funksionimin e tij në vitin 2017 me mandate një vjeçare dhe nga kohë deri tani, mund të thuhet se funksionimi i kësaj hallke të rëndësishme të sistemit të drejtësisë është më e avashtë se sa sportelet shtetërore dhe mund të konsiderohet edhe si ndër institucionet më burokratike.

Tre vakacat që u shpallën, dy nga ana e institucionit të Presidentit dhe një nga Kuvend, dështuan pasi kandidatët që garuan nuk plotësonin kushtet ose ishin të pakët në numër dhe për rrjedhojë ky institucion duhet të bëje rishpalljen për tre vende vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Por kjo situatë bëhet edhe më e ndërlikuar pasi vetë Këshill i Emërimeve në Drejtësi ka afat deri në fund të këtij viti për të mbyllur të gjitha procedurat që nuk i bëri në 9 muaj pasi ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, parashikon se KED është me mandat 1 vjeçar, ku çdo vit përpara 5 dhjetorit, hidhet shorit për përbërjen e tij.

Kështu edhe planet për një gjykatë Kushtetuese funksionale në një kohë sa më të shpejtë duket se kane dështuar, ndërsa në sirtarët e këtij institucioni janë edhe disa çështje pikante për tu shqyrtuar si ligjshmëria e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit apo paditë e Presidentit për Teatrin Kombëtar. Këto konflikte duket se nuk do te marrin përgjigje shpejt.