Pas rreth 15 orë intervistimi nga Gjykata Speciale në zyrat e EULEX-it në Prishtinë, sot ka përfunduar marrja në pyetje në cilësi të dëshmitarit për kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Pas përfundimit të intervistimit në ditën e dytë, i cili zgjati për rreth shtatë orë, kryetari i BDI-së për shkak të procesit nuk ka dhënë detaje lidhur me atë për të cilën është marrë në pyetje, por tha se nga prokurorët specialë u mor në pyetje në cilësinë e dëshmitarit.

“Intervistimi im ka zgjatur dy ditë dhe deri në përfundim të këtij procesi nuk mund të ndaj asnjë informacion me opinionin, pasi kështu e përcakton ligji dhe dua ta respektoj ligjin. Në përfundim të këtij procesi, të këtij epilogu, atëherë mund të flasim dhe na lejon edhe ligji. Po, sot ka marrë fund procesi i intervistimit tim”, tha ai. raporton Kosova Press. Ish-anëtari i Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Ali Ahmeti, ka thënë se Gjykata Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

“Është vendim i Kuvendit të Kosovës, dhe ky vendim është ekzekutuar”, tha Ahmeti.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti për tetë orë është intervistuaf dje nga Gjykata Speciale.

Intervistimi i tij u bë në zyrat e EULEX-it në Prishtinë. Gjatë ditës së sotme Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim në cilësinë e të dyshuarit edhe ish-komandantin e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çekun. Ish-ministri i FSK-së para Gjykatës në Hagë do të dalë më 28 shtator.