Gjykata Kushtetuese ka caktuar 23 qershorin si datë për zhvillimin e seancës për shqyrtimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i bojkotuan zgjedhjet lokale duke mos marrë pjesë në garë në asnjë prej 61 bashkive të vendit.

Pasi përfundoi procesi zgjedhor, opozita, konkretisht kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi në emër të bashkive të Shqipërisë, një shoqatë e drejtuar prej vetë asaj, vendosi të çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke i kërkuar asaj të shpallë pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve.

Gjykata do të shqyrtojë padinë dhe më pas brenda afateve ligjore do të dalë me vendim për njohjen ose jo të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, proces ky, i cili shkaktoi debate dhe sulme të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës.

Më 23 qershor, Gjykata Kushtetuese do të kalojë në “lupë” edhe një çështje tjetër, që lidhet konkretisht me “verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019”.