Lideri i Agimit të Artë, Nikos Michaloliakos, dhe pesë ish-deputetë të tjerë të partisë neo-naziste u dënuan me 13 vjet burg nga gjykata e Athinës të mërkurën.

Një tjetër anëtarë i partisë, Giorgos Roupakias, u dënua me burgim të përjetshëm dhe 10 vjet shtesë për vrasjen e reperit Pavlos Fyssas në vitin 2013.

Katër ish-deputetë të tjerë të Agimit të Artë u dënuan me nga pesë vjet.

Partia e ekstremit të djathtë në Greqi u shpall organizatë kriminale nga Gjykata e Apelit në Athinë, një javë më parë.

Hetimi paraprak tregoi se partia vepronte si grup paramilitar, me urdhra të dhëna nga lidershipi për organizatat e lagjeve dhe mbi sulmet e kryera ndaj migrantëve që shpesh çuan në dëmtime serioze.

Vendimi shkaktoi trazira para gjykatës në kryeqytetin grek, ndërsa Amnesty International, e cila mori pjesë dhe ndihmoi në organizimin e një rrjeti për të regjistruar dhunën raciste në Greqi, tha se vendimi do të rrisë përpjekjet e atyre që shkojnë pas krimeve të urrejtjes.

“Akuzat kundër udhëheqësve dhe anëtarëve të Agimit të Artë, përfshirë vrasjen e Pavlos Fyssas, zbulojnë një çarje që ekziston jo vetëm brenda Greqisë, por në të gjithë Evropën dhe më gjerë”, tha javën e kaluar, Nils Muiznieks, drejtori i Evropës në Amnesty.

“Ndikimi i këtij vendimi, në atë që është një gjyq emblematik i një partie të ekstremit të djathtë me një qëndrim agresiv anti-migrant dhe të drejtave të njeriut, do të ndihet shumë përtej kufijve të Greqisë.”