Greqia do të mbyllë baret, restorante e dyqanet duke filluar nga dita e shtunë. Qeveria greke njoftoi se do të shtyhet dhe hapja e shkollave të mesme.

Vendimi u mor për shkak të numrit të të infektuave me koronavirus në vend. Këto masa do të jenë në fuqi pa afat.

Dy javë me herët, Greqia lehtësoi masat për shkak të uljes së numrit të të infektuave. Dyqanet, parukeritë, shkollat fillore dhe kopshtet e fëmijëve u rihapën, ndërsa shkollat e mesme do të hapeshin më 1 shkurt.

“Përhapja horizontale e infektimeve në zonat më të populluara në këtë shtet përbën shqetësim. Ne nuk duam të përballemi me rritje të madhe të infektimeve dhe me ndikimin që do ta kishte kjo gjë në sistemin tonë publik shëndetësor” është shprehur Vana Papaevangelou, anëtare e komitetit të ekspertëve.

Greqia raportoi të premten 941 raste dhe 22 viktima.