Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka dhënë detaje të reja për udhëtimin e qytetarëve nga Shqipëria drejt Greqisë për periudhën nga 1-15 shtator. Me një shënim të shpërndarë në faqen zyrtare në “Facebook”, MEPJ-ja thotë se për këtë periudhë mbetet në fuqi kufizim i hyrjes për shtetasit shqiptarë për arsye turizmi.

Gjatë kësaj periudhe vijon po ashtu të mbetet në fuqi edhe masa tjetër kufizuese e udhëtarëve, të cilët synojnë kalimin në pikat kufitare në Kakavijë dhe në Kapshticë.

Sipas MEPJ-së, në pikën kufitare të Kakavijës lejohen të kalojnë në bazë ditore 750 qytetarë, kurse në Kapshticës vetëm 300.

Greqia nuk ka hequr dorë as nga pajisja me testin negativ të Covid-19 për udhëtarët që hyjnë në rrugë tokësore apo ato ajrore. Rezultati i testit nuk duhet të jetë me afat më shumë se 72 orë.

Rregullat e lëvizjes drejt Greqisë nga 1-15 shtator:

– Për 14 ditë të tjera, nga data 1-15 shtator 2020, mbetet në fuqi kufizimi i hyrjes për shtetasit shqiptarë për arsye turizmi.

– Mbetet në fuqi kufizimi i lidhjeve detare dhe ajrore me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kështu, fluturimet drejt/ nga këto vende bëhen vetëm nga aeroporti “Eleftherios Venizelos”.

– Mbetet në fuqi kufizimi i numrit të personave që hyjnë në ditë nga PKK të Kakavijës (750 vetë) dhe Kapshticës (300 vetë).

– Mbetet në fuqi deri më 19.09.2020 aplikimi i kontrolleve paraprake përmes testit negativ PCR 72 orë para mbërritjes në vend, për personat që mbërrijnë në aeroport dhe nga pikat tokësore nga Shqipëria.

Detajet e rregullave i gjeni duke klikuar këtu.