“Lojtarë dhe drejtues, të gjithë së bashku duhet të bëjnë diçka, pasi vetëm fjalët nuk mjaftojnë më”

Pep Guardiola lëshon alarmin në lidhje me mbingjeshjen e kalendarëve të futbollit, dhe super impenjimin të cilit i nënshtrohen skuadrat e futbollit, të detyruara të bëjnë një tur force në një moment shumë të vështirë nga këndvështrimi mjekësor.

“Situata nuk do të ndryshojë vetë. UEFA, FIFA, Premier League, televizionet dhe biznesi, për ta janë më të rëndësishme se shëndeti i lojtarëve, dhe çdokush vendos për veten e tij.”

Sipas trajnerit të Manchester City, duhet një veprim i përbashkët. “Këtu po flasim për shëndetin e futbollistëve. Ndoshta sindikatat duhet të thonë: Nuk luajmë deri sa të zgjidhet kjo çështje. Po, duhet bërë një grevë”.

Ajo që shqetëson trajnerin e kampionëve të Anglisë, është dhe çështja e zëvendësimeve. “Ne flasim për shëndetin e futbollistëve, por kampionati ynë, Premier League, është i vetmi që nuk pranon pesë zëvendësimet. Kemi në dispozicion vetëm tre. Pse kështu? Do të ishte shumë më mirë për të gjithë duke marrë në konsideratë numrin e ndeshjeve që luajmë, por Premier League dhe disa klube kanë vendosur të mos kemi 5 zëvendësime”, deklaroi trajneri katalanas.

Tradita e Boxing Day, sulme për Klopp dhe Guardiolën

Në këtë periudhë të fundvitit kalendari i Premier League është shumë i ngjeshur. Skuadrat do të zbresin në fushë për të famshmen Boxing Day më datë 26 dhjetor, ndërsa më pas do të rikthehen të luajnë edhe më datë 28 e 30 dhjetor, ndërsa më datë 1, 2 dhe 3 janar janë sërish në fushë.

Ndaj, trajnerë si Jurgen Klopp dhe Pep Guardiola janë ankuar teksa kanë mendjen te gjendja fizike e futbollistëve. Por, ai që ka dalë në mbrojtje të kësaj tradite britanike është ish-presidenti i Crystal Palace, Simon Jordan i cili ka “sulmuar” Klopp dhe Guardiolën ndërsa është shprehur trajnerët e tjerë të Premier League ndjekin ata dy dhe se nëse nuk do të ishte për futbollin atëherë ata do të kishin përfunduar duke punuar për McDonalds.

“E keni harruar se jeni në Premier League? Fansave iu pëlqen kjo traditë dhe trajnerët nuk duhet të harrojnë se janë në Premier League edhe për ritmin që ky kampionat ka. Nëse nuk do të ishte kjo kërkesë e lartë, atëherë asnjë prej trajnerëve nuk do të fitonte miliona. Ata duhet ta dinë se nëse nuk do të ishte për futbollin atëherë do të përfundonin punëtorë të McDonalds.

Por, pjesa më e madhe e trajnerëve në Angli thjesht shkon pas ideve të Jurgen Klopp dhe Pep Guardiolës. Klopp thjesht duhet të zbatojë rregullat pasi  unë e di se pjesa më e madhe e lojtarëve duan t’i luajnë këto ndeshje”, u shpreh Jordan.