Nga viti 2022, të gjithë personat që blejnë një mjet, nuk do të kenë nevojë të kryejnë kontrollin fizik të tij. Kështu tha Kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook.

Sipas tij, kjo do të bëhet e mundur për shkak të ndërveprimit të sistemeve informatike që pas marrjes në kontroll të Kontrollit Teknik të mjeteve nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Rama thotë se me këtë praktikë, eliminohen 60 mijë kontrolle fizike të automjeteve në vit, ndërsa qytetarët do të kursejnë në total 90 milionë lekë, por edhe 30 mijë orë pritje në vit.

“Me këtë lajm të mirë e të shumëpritur për Drejtuesit e Automjeteve, puna vazhdon flet vetë ndërsa llafet e gojëve të shthurura dhe baltën e mendjeve të mbrapshta vijnë e ikin me erën”, tha Rama.