Hong-Kongu ka ndjekur shembullin e Kinës, dhe ka ndaluar transmetimin e BBC World News dhe BBC News Weekly.

Autoritetet vendase nuk dhanë detaje mbi vendimin, por masa erdhi menjëherë pas bojkotit që Kina i bëri kanalit prestigjioz britanik.

Kina akuzoi BBC për raportimin e lajmeve “të pavërteta dhe jo në mënyrë të njëanshme”, veçanërisht për lajmet që lidhen me koronavirusin dhe mbi trajtimin e çështjes së pakicës etnike të Ujgurëve.

Njoftimi i Kinës dhe Hong-Kongut vjen vetëm disa ditë pasi autoriteti britanik i mediave, i ka refuzuar televizionit shtetëror kinez China Global Television Network (CGTN), licencën për transmetim.

Marrëdhëniet midis Kinës dhe Mbretërisë së Bashkuar janë tensionuar ndjeshëm në muajt e fundit kryesisht mbi çështjen e Hong-Kongut. Në janar, Mbretëria e Bashkuar prezantoi një vizë të re që i jep 5.4 milionë banorëve të Hong-Kongut të drejtën për të jetuar në Britani, sepse beson se Kina po minon të drejtat dhe liritë e tyre.