Në fjalimin që ka mbajtur me rastin e Ditës së Fitores së Rusisë, presidenti rus Vladimir Putin ka përshëndetur fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste.

Putin ka thënë se Rusia duhet të sigurojë se “tmerri një lufte globale nuk do të përsëritet kurrë”.

Por, lideri rus e ka drejtuar fjalën e tij dhe ndaj vendeve të NATO-s, për të cilat ka thënë se nuk donin që bënin kompromis përsa i përket çështjeve të sigurisë.

“Rusia i kërkoi Evropës të gjente një kompromis të drejtë, por ata nuk donin të na dëgjonin dhe po përgatisnin një operacion ndëshkues në Donbas, në Ukrainën lindore. Në Kiev ata thoshin se mund të merrnin armë bërthamore dhe NATO filloi të eksploronte tokat afër nesh. Kjo u bë një kërcënim i dukshëm për vendin tonë dhe për kufijtë tanë. Gjithçka na tregonte se ekziston nevoja për të luftuar”, tha Putin.

Putin vazhdoi fjalimin e tij duke thënë se “operacioni ushtarak special” i Rusisë në Ukrainë, sipas liderit rus ishte një vendim i duhur i një vendi të pavarur, të fortë dhe sovran. Gjatë fjalës së tij, Putin ka deklaruar se Perëndimi po përgatitej për pushtimin e tokës ruse, duke përfshirë Krimenë, një zonë e Ukrainës që u aneksua nga Rusia në 2014.

“Lufta kundër Ukrainës ishte një “goditje parandaluese kundër agresorit”, ka thënë lideri rus.

Ai e mbylli fjalimin me fjalët: “Lavdi forcave tona të armatosura të lavdishme, për Rusinë, për fitoren!“