Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për 34-vjeçarin Arlen Hasanajn, personin e dyshuar për vendosjen e tritolit në banesën e kreut të FSHF-së Armando Duka.

Prokuroria e Rrethit kishte kërkuar arrest me burg për 34-vjeçarin dhe vendimi i ekspertit mjeko-ligjor është prova kryesore e organit të akuzës.

Hasanaj rezulton me një djegie në dorën djathtë dhe se 34-vjeçari është djegur gjatë ndezjes së fitilit në momentin para se të hidhte kallëpin e tritolit në portën e jashtme të oborrit të Dukës mbrëmjen e 24 janarit në Durrës.

Avokati i të pandehurit e konsideroi jo ligjore këtë masë sigurie, duke thënë se bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë, ka mospërputhje në oraret dhe vendndodhjen e Arlen Hasanaj dhe personit që vendosi tritolin.

“Prova e sjellë nga vetë akuza, pra trafiku i qelizës në rrugë lineare nga Megatexi në hyrje të Durrësit ku provohet që në orën 22:00 i mbrojturi prej meje ka qenë te ura e Dajlanit, në orën 22:00 ka komunikuar në telefonin e tij celular. Në orën 22:02 hyn në rotonton kryesore të qytetit të Durrësit, merr kthesë. Në orën 22:02 konstatohet pranë lokal Kanon, pret djathtas dhe parkon pranë shtëpisë së vetë në orën 22:03. Ju bëj me dije që në orën 22:03 pamjet filmike te shtëpia e Armand Dukës fiksojnë autorin duke ndezur fitil. Ka ndaluar makinën, ka hapur portbagazhin e pasmë dhe nga aty ka zbarkuar me dru të blera te Megatexi. Ka bërë dy rrugë, është ngjitur sipër, ka zbritur poshtë, ka marrë makinën e gruas e ka sistemuar për parkim, dhe pasi ka bërë këtë veprim ka marrë makinën e vetë e ka parkuar indietro 10 metra më tutje, pamje të fiksuara nga kamerat e lokal Polis dhe Kanon. Ndërkohë, në materialin që sjell organi i akuzës nga pamjet e para ka autorin e ngjarjes në orën 22:00 që është i fiksuar te trotuarin. Në këtë orë merr itinerarin për të kaluar tek tuneli pranë ish-lokalit poshtë shtëpisë së shtetasit M.D. Në orën 22:01 është i fiksuar poshtë shtëpisë së M.D. për drejtimin te shtëpia e Armand Dukës. Në 22:06 autori fiksohet përsëri te Flagship pasi ka kryer aktin kriminal duke ecur për nga pallati fizarmonik. Atëherë si mund të ishte i mbrojturi prej meje që ka hyrë në Durrës në orën 22:02 mund të ishte njëkohësisht edhe tek shtëpia e Armand Dukës. Vetëm Batman e realizon këtë, por ja që organi i akuzës dhe gjykata dhanë një vendim tjetër jo ligjor të radhës siç ndodh rëndom që është edhe e turpshme pasi duan për ta pasur brenda për interesa që dalin përtej interesave ligjore”, u shpreh avokati.

Avokati i të akuzuarit paralajmëroi se masën e sigurisë arrest në burg do ta apelojnë.