Rikthehet sot aktiviteti politik në vend i shtyrë gjatë ditës së djeshme me rastin e shpalljes ditë zie kombëtare. Kreu socialist, Edi Rama viziton fillimisht Laçin në kuadër të procesit të Rindërtimit, kalon me vonë në Rrëshen dhe ndalet pasdite në Lezhë për prezantimin e kandidatëve për deputetë. Nga kampi opozitar, Lulzim Basha i rikthehet sot takimit të planifikuar dje në qarkun e Fierit.

Kosova nis zyrtarisht vaksinimin

Kosova fillon sot zyrtarisht vaksinimin. Në plan të parë janë stafet mjekësore dhe të moshuarit mbi 80 vjeç me probleme shëndetësore. Lajmin e dha gjatë konferencës së djeshme me kryetarët e bashkive, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.

Italia po përballet me valën e tretë të koronavirusit

Italia po përballet me valën e tretë të koronavirusit dhe pavarësisht masave shtrënguese të ndërmarra nga autoritetet, vlerësimi i zonave bëhet herë pas here. Këtë fillim jave Valle D’Aosta, Toskana dhe Kalabria u futën në zonë të kuqe që nënkupton më tepër kufizime, ndërkohë lajmi i mirë erdhi për zonën e Lacios ku përfshihet edhe kryeqyteti Romë, i cili nga sot klasifikohet portokalli.

OBSH publikon sot raportin për origjinën e koronavirusit

OBSH prezanton sot publikisht raportin e studimit të ndërmarrë në lidhje me origjinën e koronavirusit. Në media u përhap dje lajmi se gjetjet e deritanishme tregojnë se virusi u kalua nga lakuriqi i natës te një tjetër kafshë e më pas te njeriu, por sikurse pohoi kreu i organizatës ajo deklaratë nuk përbente përgjigjen përfundimtare të ekspertizës.

Shtyhet në shtator procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut

Procesi i regjistrimit të popullatës në Maqedoninë e Veriut, i parashikuar të fillonte me 1 prill do të shtyhet për në muajin shtator nga frika e përhapjes se koronavirusit prej takimeve derë mëderë. Gjatë takimit mes palëve u ra dakord që së pari të tentohej imunizimi i popullatës e pastaj të bëhej regjistrimi i saj.

EMA miraton vaksinën “Johnson and Johnson”

Agjencia Evropiane e Barnave dha dritën jeshile për përdorimin e vaksinës Johnson and Johnson për persona mbi 18 vjeç. Ajo përbën vaksinën e katërt brenda grupit që miratohet për efikasitetin në luftën kundër virusit dhe funksionon me një dozë të vetme. Ka efikasitet 67 për qind ndaj parandalimit të sëmundjes.

Gjermania apel vendeve të pasura për vaksinimin e vendeve të varfra

Gjermania i bëri thirrje vendeve të pasura që të shtojnë fondet e ndihmës për vaksinimin e vendeve të varfra me pretendimin se nëse nuk arrihet vaksinimi i të paktën 25 për qind të popullatës së atyre vendeve, pasojat do të jenë të rënda.

Nis sot vaksinimi i moshave mbi 30 vjeç në Nju Jork

Në Nju Jork, duke nisur nga sot rezidentët e moshave të tridhjeta do të bëjnë vaksinën kundër virusit, ndërkohë që prej 6 prillit atë do mund ta marrin edhe personat nga 16 e sipër për të përmbyllur kështu një fazë të parë të vaksinimit. Lajmin e konfirmoi vetë guvernatori i shtetit, Andrew Cuomo.

Biden për thirrje për kujdes: Nuk është koha për të festuar

Nuk është ky momenti për të festuar tha presidenti amerikan Joe Biden, sipas te cilit përfundimi i procesit të vaksinimit nuk nënkupton fitoren ndaj virusit dhe për këtë qytetarët duhet të vazhdojnë të tregojnë kujdes.