Pentagoni deklaron se rrjedhja e dokumenteve të klasifikuara të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së është një rrezik “shumë serioz” për sigurinë kombëtare.

Dyshohet se dokumentet përfshijnë informacione të ndjeshme në lidhje me luftën në Ukrainë, si dhe për Kinën dhe aleatët e SHBA-së. Zyrtarët thonë se dosjet janë në një format të ngjashëm me dokumentet e lëshuara për drejtuesit e lartë.

Në lidhje me këtë çështje është hapur një hetim për të përcaktuar kështu burimin e rrjedhjes. Fillimisht dokumentet u shfaqën në platformat Twitter, 4chan dhe Telegram.

Përveç se informacioneve të detajuara në lidhje me luftën në Ukrainë, disa nga dokumentet zbulojnë të dhëna për disa nga aleatët e SHBA-ve. Ato fokusohen në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme, si dhe në rajonin Indo-Paqësor.

Duke folur me gazetarët të hënën, një zyrtar i lartë i Pentagonit tha se dokumentet ishin “një rrezik shumë serioz për sigurinë kombëtare dhe kanë potencial për të përhapur dezinformata”.

“Ne jemi ende duke hetuar se si ndodhi kjo, si dhe shtrirja e çështjes,” tha Chris Meagher, ndihmësi i sekretarit të mbrojtjes për çështjet publike.