Zlatan Ibrahimovic kërkon “pak më shumë durim” përpara se të kthehet në skuadër dhe të punojë nën urdhrat e Piolit.

Ai i siguron tifozë kuqezi se i duhet edhe pak për t’u bërë sërish pjesë e grupit:

“Jam mirë, duhet ende pak kohë para se të rikthehem në grup me ekipin, por e rëndësishme është që fillimisht të ndihesh mirë dhe më pas të rikthehesh për të luajtur”.

I intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, ylli suedez i Milanit njoftoi rikthimin me stil pas muajve të kaluar duke luftuar çdo ditë me dhimbjen: “Me siguri do ta shihni. Kur të kthehem, do të dëgjohem. Do ta bëj me dhunë”.

Dalja në “pension” është një hipotezë më e largët se kurrë në planet e Ibrahimovic, i cili ndihet ende në krye dhe dëshiron të shfrytëzojë valën në favor të tij: “Nëse shoh një lojtar më të fortë se unë, do të ndalem. Por nuk e kam parë ende…”

Milani i ka të gjitha kredencialet për ta fituar kampionatin e dytë radhazi dhe për të sjellë në shtëpi yllin e dytë të lakmuar: “Po, ne jemi edhe më të fortë se sezonin e kaluar si grup. Në përgjithësi, ne jemi një ekip më i mirë. Merkatoja e verës pas titullit na forcoi dhe tani kemi më shumë alternativa në stol. A më pëlqen Milani? Kjo është e qartë. Nëse nuk do të më pëlqente, nuk do të isha këtu”.

Suedezi promovon blerjen më të shtrenjtë të kuqezinjve në merkaton e verës: “Një investim mjaft i mirë për De Ketelaere. Ai është një top-lojtar, e shoh kështu. Thjesht duhet t’i jepni pak kohë që të rritet”.

Në fund, një kujtim për Mino Raiolan: “Për të kam vetëm kujtime të mira, do të mbetet në zemrën time dhe do të më mungojë përgjithmonë. Kam vuajtur shumë”.