Zlatan për titujt tek Juventus: I kemi fituar, askush nuk mund të na i heqë. Guardiola nuk i do lojtarët që kanë personalitet, Allegri duhet të ketë më shumë guxim

Kur flet Zlatan Ibrahimoviç asnjëherë nuk mund të jetë një intervistë e mërzitshme. Bomberi suedez në një intervistë të gjatë për “Corriere della Sera”, ka prekur pak nga të gjitha temat e nxehta të futbollit dhe të aventurës së tij me Milanin.

Ai ka zbuluar se ka qenë edhe pranë Napolit dhe pse zgjodhi Milanin.

“Isha shumë pranë firmës me Napolin, do të vishja fanellën e kaltër por më pas De Laurentiis shkarkoi Ancelottin dhe ky opsion u rrëzua. Milani? I thashë Raiolës se cila skuadër ishte vendosur më keq për momentin që unë mund ta ringrija dhe ai u përgjigj duke thënë që Milani u mund 5-0 në Bergamo nga Atalanta. Atëherë te kuqezinjtë do të shkoj”.

Pjesa më interesante e intervistës ishte përplasja në derbi me Lukakun, humbja dhe dalja e tij me të kuq por suedezi ka diçka për t’i thënë lojtarit të Chelsea.

“Romelu debatoi në fillim me Romagnolin, më pas me Salemakersin dhe unë ndërhyra për të mbrojtur shokët e mi të skuadrës dhe Lukaku më sulmoi në anën personale. Ishte shokuese sepse kemi qenë dhe shokë skuadre te Mançester Junajtid. Basti me 50 euro te Man. United? Ishte për ta përmirësuar, por ai nuk e pranoi sepse Lukaku ka një ego të madhe. Është i bindur se është një kampion, dhe me të vërtetë është shumë i fortë. Unë jam rritur në Malmo në një geto. Nëse dikush vjen te unë me kokën ulur e vendos në vendin e vet dhe kështu e godita në pikën e tij më të dobët tek pjesa e nënës dhe ai humbi të gjithë kontrollin. A më ka bërë magji dhe mua? U kërkova disa miqve të mi besimtarë të luten për mua. Kam një llogari të hapur me Lukakun, shpresoj ta takoj së shpejti. Derbi? Humbëm dhe dola me të kuq, u dëmtova, por nuk më ka bërë magji”.

Guardiola dhe Allegri

Një temë tjetër ishte edhe përplasja e tij me Guardiolën, por edhe me Allegrin te Milani.

“Ne kishim humbur 3-0 ndaj Arsenalit dhe Allegri ishte i lumtur. Është e vërtetë që ne kishim kaluar raundin, por nuk kishte asgjë për të qeshur dhe unë ia vura në dukje. ‘Ti Ibra mendo për veten që e bëre disa budallallëqe’ dhe unë u përgjigja se edhe ai kishte bërë idiotësi. Allegri është shumë i mirë në menaxhimin e dhomës së zhveshjes, por ai duhej të kishte më shumë guxim: të shkonte në Real Madrid, të konkurronte me vende të huaja. Në vend të kësaj ai bëri zgjedhjen komode. Guardiola? Nuk më ka kuptuar kurrë. Donte të programonte gjithçka që unë duhej të bëja. Guardiola nuk i do lojtarët që kanë personalitet. Isha bërë një problem dhe nuk gjente një zgjidhje, unë e zgjidha duke u larguar”, përfundoi sulmuesi suedez.

Titujt tek Juve

Dy tituj të fituar me Juventus që më pas u hoqën prej Calciopoli, por për Zlatan Ibrahimovic do të jenë gjithmonë të tijtë dhe të shokëve të vet: “Ata tituj i kemi fituar, askush nuk mund të na i heqë. Askush nuk mund të fshijë lodhjen, dhimbjet, dëmtimet dhe golat. Kështu që kur më thonë se në karrierë kam fituar 11 tituj, i korrigjoj: janë 12. Moggi ishte njëri që ngjallte frikë, por me mua ishte më i miri. Capello më mësoi të kujdesesha për golin. Dhe më ka masakruar vazhdimisht. Një njeri mjaft i ashpër”.