Është e qartë për të gjithë se Mauro Icardi dhe Interi nuk e kanë lënë njëri-tjetrin në marrëdhënie idilike. “Like” që i dha gëzimit të Juventusit, pas kualifikimit në finalen e Kupës së Italisë, në kurriz të zikaltërve, nuk është, megjithatë, një gjest që i kënaq ish-tifozët e tij. Sulmuesi argjentinas, tani te PSG, iu bëri “Like” në Instagram, disa postimeve të lojtarëve të Juventusit, që portretizonin festën e zhvilluar në dhomën e zhveshjes së “Allianz Stadium”.

Në rrjetet sociale gjithçka duhet të merret me rezerva, por shumë shpesh edhe sinjalet më të vogla përfundojnë duke u zmadhuar. Në këtë rast ka pak për të interpretuar. Leonardo Bonucci, Cristiano Ronaldo, Dybala dhe Alvaro Morata ndanë gëzimin e barazimit 0-0 në derbin italian të mbrëmshëm, i cili iu dha atyre akses në finalen e Kupës së Italisë. Icardi e “vlerësoi” atë përmbajtje. Ky është padyshim një mosrespektim i ish-ekipit të tij, për të cilin ishte kapiteni i padiskutueshëm, përpara fërkimeve me menaxhmentin dhe disa bashkëlojtarë, çka  detyroi të fluturonte drejt Parisit.

Pikërisht në një ndeshje, në të cilën skuadra e Antonio Conte nuk arriti ta thyente murin mbrojtës të Juventusit, argjentinasi fillon të hedhë kripë në plagë, si për t’i kujtuar të gjithë se ai, gjithmonë ka shënuar kundër Juventusit. Pas Sampdorias dhe Fiorentinës, kampionët italianë janë në fakt “viktima” e preferuar e Icardit: 8 gola në 14 ndeshje. Ai i kishte bërë tifozët zikaltër të lumtur, të brohorisnin për të, ndërsa tani po i ngacmon përmes rrjeteve sociale.

Përkundrazi, të martën, Lautaro Martinez dhe Romelu Lukaku nuk ishin në gjendje të linin shenjë në Torino, në një ndeshje shumë të rëndësishme. Ata “u futën në xhep” nga dyshja bardhezi, Merih Demiral dhe Matthijs de Ligt. Për belgun, në veçanti, Juventusi është me të vërtetë një tabu: 5 ndeshje (një me Manchester United), pa asnjë gol të shënuar dhe me tri humbje. Vetëm fitorja e janarit në kampionat e ëmbëlson fare pak këtë produkt negativ. Icardi, duke u tallur, indirekt e nënvizoi këtë aspekt.