Eliminimi i Juventusit në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, përballë Portos, sjell efekte shumë të rënda për bardhezinjtë, gjithashtu për presidentin Andrea Agnelli. Në tabloidin “Independent”, Miguel Delaney e përdor dështimin e “Zonjës si Vjetër” si sulm ndaj presidentit të ECA (shoqatës europiane të klubeve), se Agnelli duhet të ndryshojë si fillim të tijtë, para se të mendojë për Superligë Europiane me elitarët e kontinentit: “Nëse Andrea Agnelli dëshiron të rirregullojë futbollin europian për t’u siguruar që klubi i tij nuk humbet aq shumë, mbase duhet ta fillojë me Juventusin e tij. Në radhë të parë, të ndërtojë një ekip të vërtetë, që të mos mbetet rregullisht jashtë çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve”.

Delaney vazhdon me editorialin e tij duke nënvizuar se as ardhja e Cristiano Ronaldos nuk ka shërbyer për ta ndihmuar kauzën bardhezi në Europë: “Juventusi është një rrëmujë jofunksionale, i eliminuar nga Champions-i në një nga ato momentet e lavdishme të drejtësisë poetike, që sporti t’i dhuron. Pavarësisht nga të gjitha sugjerimet egoiste të Agnelli, ekipi i tij dhe ylli i tij i madh nuk mund të shpëtonin veten”.

Në botën e sportit, fjala “trashëgimi” tregon forcën e vazhdimësisë së rezultateve të një ekipi, tregon një status që, sipas “Independent”, bardhezinjtë kanë dështuar: “Kampionët italianë kanë kaluar shumë shpejt nga një prej klubeve më të mira në Europë në një nga shembujt më të këqij të trashëgimisë së paaftë për të fituar Champions-in. Agnelli të shqetësohet për ta ndryshuar këtë, para se të revolucionarizojë kompeticionin e klubeve elitare të Europës”.