Shorti i fazës eliminatore të Euro 2024 vuri Shqipërinë në grupin E. Kuqezinjtë do të kenë kundërshtarë Poloninë, Çekinë, Ishujt Faroe dhe Moldavinë.

Trajneri Edi Reja komentoi shortin dhe rivalët e Shqipërisë, ku ndër të tjera deklaroi:

“Janë skuadra që i njohim, janë skuadra të vështira, por mund të përballemi me ta. Kemi mundësi të mira me të gjitha këto skuadra nëse do të jemi në gjendje të mirë dhe nuk do të kemi mungesa si kohët e fundit. Polonia është e fortë, kjo dihet, por do të garojmë me Çekinë për vendin e dytë.

Duhet të jemi të kënaqur me këtë grup, pasi kemi evituar emra të mëdhenj. Edhe Çekinë e njohim, pasi jemi përballur me ta në miqësore vitin e kaluar. Por, ne do të hasim vështirësi nëse do të luajmë si vitin e kaluar. Duhet të shmangim gabimet e ndeshjeve të fundit.

Kontrata? Presidentin këtu e keni. Në fillim të përfundojë kontrata që kam, më pas do të ulemi të bisedojmë me presidentin. Për momentin duhet të punojmë, të mbyllim kontratën që kemi dhe më pas do të flasim për të ardhmen”, deklaroi Reja.

Edhe Presidenti Duka theksoi se në momentin e duhur do të ulet me trajnerin Reja për të diskutuar vazhdimësinë.

“Këtu sot jemi për shortin dhe më pas do të diskutojmë për vazhdimin, siç e kemi bërë gjithnjë me trajnerin. Do të bisedojmë për më të mirën e Shqipërisë”, deklaroi Duka.