Interi përfiton maksimalisht nga ndalja e Milanit dhe Juventusit, pasi mposht me rezultatin minimal 0-1 Bolonjën në “Dall’Ara” dhe ngjitet në kuotën e 68 pikëve, plot 8 pikë më tepër se kuqezinjtë që mbajnë vendin e dytë.

Transferta emiliane nuk rezultoi aspak e lehtë për zikaltrit, që vuajtën jo pak, por në fund u larguan me tre pikë, falë një goli të shënuar nga i përhershmi Romelu Lukaku në minutën e 32-të të takimit.

Zikaltrit krijuan disa mundësi të tjera për të dyfishuar rezultatin, por shtylla ndali Lautaron, ndërsa Hakimi e Barella nuk u treguan të saktë në mundësitë e tyre për të dërguar topin në rrjetë.

Nga ana tjetër Bologna u shfaq shumë kërkuese dhe këmbëngulëse, por vetëm një herë me Sansonen arriti të kërcënojë rrezikshëm portën e Handanovic, që gjithsesi u tregua i gatshëm të zotërojë sferën.

Ky ishte goli i 20 i sulmuesit belg Romelu Lukaku, që konfirmohet arma më e fortë e Interit, ndërsa zikaltrit regjistrojnë kështu fitoren e 9 radhazi në kampionat, pasi kanë triumfuar në të gjithë ndeshjet e fazës së dytë.

Sfida e radhës e Interit është të mërkurën në orën 18:30 ndaj Sassuolos në “San Siro”, aty ku të besuarit e Antonio Contes do të kërkojnë një tjetër sukses, për të vënë një dorë te titulli kampion.