Ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare Jimmy Greaves, një nga sulmuesit më të mëdhenj anglezë të historisë dhe golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë angleze (përpara se të quhej Premier League).

Greaves ka qenë gjithashtu pjesë e skuadrës fituese të Kupës së Botës, në vitin 1966.

Ish-futbollisti ka shënuar me Chelsea 132 gola në 169 ndeshje, në periudhën 1957-1961. Më pas, u transferua te Milani, në Itali, ku qëndroi shumë pak për shkak të mosmarrëveshjeve me trajnerin Nereo Rocco. Gjithsesi, edhe në Serinë A tregoi se ishte golashënues i lindur, duke shënuar 9 gola në 10 ndeshje.

Kulmi i karrierës së tij do të ishte periudha me Tottenham, në të cilën dërgoi topin në rrjetë 266 herë në 379 ndeshje, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit dhe fitoi në vitin 1963 Kupën e Kupave, që në atë kohë ishte trofeu i parë evropian që fitonte një klub anglez.

Me Anglinë, Greaves ka shënuar 44 gola në 57 ndeshje. Në Kupën e Botës 1966, ai luajti të treja ndeshjet e grupit, por u dëmtua kundër Francës dhe vendin e tij e zuri Geoff Hurst, vendimtar në finalen kundër Gjermanisë.