Interi është finalisti i dytë i Europa League për këtë sezon ku do të gjejë përballë Sevilla-n eksperte të këtij kompeticioni.

Zikaltërit kanë shkatërruar 5-0 ukrainasit e Shakhtar në gjysmëfinale, në një ndeshje që do të mbahet mend. Djemtë e Conte u shfaqën që në minutat e parë të vendosur për atë që donin nga ky takim dhe këtë e tregoi dhe rezultati.

Ishte Lautaro ai që shënoi i pari në minutën e 19 të takimit falë një krosimi perfekt të Barrella. Shakhtar ishte i pafuqishëm të çante mbrojtjen e Interit dhe minutë pas minute nisi të linte hapësira të mëdha pas.

Në minutën e 64 italianët dyfishojnë me D’Ambrosio i cili shënoi me kokë pas një goditje nga këndi. Tashmë nuk ka më ndeshje. 10 minuta më vonë Lautaro gjen dhe të dytin persona. Në minutën e 84 vjen dhe momenti i Lukakut, i cili i çoi shifrat në 4-0. Belgu gjeti rrugën e rrjetës dhe 4 minuta më vonë duke vulosur rezultatin në 5-0.

Tashmë në finale të Europa League që do të luhet më 21 gusht do të kemi një përballje italo-spanjolle, e cila pritet të sjellë shumë emocione.