Nisur nga shtyrja e miratimit të ligjit për Amnistinë Fiskale, Konfindustria i kërkon vendimarrjes politike shqiptare, që t’i japi fund ndërmarrjes së nismave ligjore, që tejkalojnë interesat vendore, pa marrë fillimisht miratimin e partnerëve strategjikë euro-atlantikë.

“Në këtë kuptim, ne mbështesim shtyrjen në kohë të miratimit në Kuvendin e Shqipërisë të projektligjit të faljes fiskale pas ndërhyrjes së qartë zyrtare kundërshtuese të Bashkimit Europian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare si FMN, etj.”- citon Konfindustria.

Konfindustria kujton se më herët ka shprehur publikisht, qëndrimin e saj kundër mënyrës së “faktit të kryer” të qeverisë shqiptare për projekt ligjin e faljes fiskale. Nisma në fjalë, sipas saj,  tejkalon ndjeshëm interesin vendor dhe prek drejtpërdrejt interesat e BE dhe partnerëve euro-atlantikë të Shqipërisë.

Agjencia Monyval e BE thekson shoqata e biznesit,  e riklasifikoi zyrtarisht  Shqipërinë në listën “gri” të rrezikshmërisë të pastrimit të parave të zeza me burim korrupsionin, trafiqet dhe terrorizmin në vitin 2020. Shumë problematike është edhe nisma ligjore për ligjërimin e prodhimit të “kanabisit” në vend.

Ndërmarrja e nxituar dhe e pa konsultuar me partnerët ndërkombëtarë dhe me grupet vendorë të interesit si dhe mospërcaktimi i një skeme të qartë të mënyrës së përdorimit të flukseve të parave potenciale të pritshme, për Konfindustrinë, prodhoi një draft të dobët profesionalisht, që do kishte pasoja të rënda në zbatim në planin gjeostrategjik, të integrimit në BE, të cështjes kombëtare të Kosovës, të proceseve demokratike si dhe prishjen e mëtejshme të konkurencës për biznesin e ndershëm.

Konfindustria vlerëson, se mosdhënia e miratimit nga partnerët ndërkombëarë për faljen fiskale, do të shënonte edhe dështimin e saj të qartë në zbatimin. Numri i subjekteve dhe qytetarëve brenda dhe jashtë vendit, potencialisht pjesëmarrës do të ishte i vogël për shkak të mungesës së sigurisë ligjore, që tejkalon ndjeshëm mundësitë e sovranitetit të “kufizuar” të shtetit shqiptar në procese të tilla me ndikim të ndjeshëm gjeostrategjik.

Më 27 korrik, kuvendi shty për në muajin shtator miratimin e projektligjit për amnistinë fiskale dhe  penale.Shtyrja e miratimit të këtij drafti ka ardhur pas problemeve të ngritura nga shoqata e bankave dhe bizneset në vend.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka pranuar kërkesën e bërë edhe nga komisioni i ligjeve  për një diskutim më të detajuar të draftit dhe plotësimin e tij me udhëzime.

Ky ligj parashikohej të miratohej në parlament  në seancën e së mërkurës, në fund të këtij sezoni. Ndryshimet ligjore parashikojnë amnistinë për pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme  të padeklaruara nga individët dhe bizneset.

Amnistia pritet të zgjasë një vit nga miratimi i saj në parlament dhe përcakton se nëse vetdeklarimi bëhet në muajt e parë taksimi mbi vlerën e pasurisë do të jetë 5%.