Në selinë e PD-së është mbledhur Kryesia e kësaj partie, për të analizuar zgjedhjet e 25 prillit.

Gjatë ditëve të kaluara, nuk kanë munguar kritika nga brenda partisë drejt kreut Lulzim Basha, por sot gjatë mbledhjes, ai u është përgjigjurse “në këtë parti ka vend për të gjithë, ka vend për idetë e gjithsecilit mbi mënyrën se si duhet çuar përpara beteja me regjimin Rama-Doshi. Megjithatë, kam bindjen dhe ndjesinë e fortë se nuk mund të kemi vizione të ndryshme mbi 25 prillin. Sepse nëse zgjedhjet e 25 prillit janë një episod që do të mbulohet nga turpi në historinë e pluralizmit, nëse e kemi të qartë se 25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore në historinë e pluralizmit, atëherë nuk mund të pranojmë që gishti duhet drejtuar në këtë sallë, përpara se ta drejtojmë te kundërshtari që kemi përballë”.

Kreu demokrat shtoi se “përndryshe nuk bëjmë gjë tjetër veçse i japim një dorë kalçifikimit të antivlerave të ndërtuara me poshtërsi nga ata që kemi përballë, sipas të cilës hajduti quhet i suksesshëm dhe vjedhja fitore. E di që është e vështirë, e di sepse e provojë në lëkurën time përditë, këtë përmbysje djallëzore vlerash, pasi jam shënjestra e parë e kësaj fushate denigruese që mbahet në këmbë nga një makineri propagandistike e madhe. Por unë e mbaj peshën e këtyre sulmeve sepse besoj tek Shqipëria dhe sepse besoj që Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe jo kurrë për një HAJDUT tjetër më të madh, apo një ortak më të zotë të bandave dhe mafias”, tha Basha.