Gjatë mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike është propozuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi që zgjedhjet për kryetarin e ri të partisë të mbahen më 13 qershor.

Kjo do të thotë se kemi një afrim të procesit të zgjedhjeve brenda partisë më të madhe opozitare pasi mandati aktual i Lulzim Bashës përfundon më 22 korrik.

Propozimi parashikon që deri më 23 maj të pranohen kandidaturat për kryetarin e ri dhe periudha nga 24 maji deri më 11 qershor të jetë fushatë.

Komisioni Zgjedhor në PD do të jetë i përbërë nga Belind Kelliçi, Albana Vokshi, Enno Bozdo, Mimoza Hasekiu, Gjok Vuksani, Bert Avdyli dhe Jemin Gjana, ku ky i fundit do të jetë kryetari.

Vendimi për këtë propozim pritet të merret gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike që do të nisë në orën 19:00.

Për këtë mbledhje, kryetari i këtij forumi Bujar Nishani ka kërkuar mbledhje të hapur për mediat.

Krahas zgjedhjeve për kryetar të ri të partisë, Bardhi ka propozuar që të bëhet analizë për rezultatin në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ku në një mbledhje të veçantë kryesisë të vlerësohet puna e secilit dhe më pas të këtë analizë për çdo qendër votimi.