Nga Ilir Mborja

Në historinë e pluralizmit tonë, ky 18 dhjetor i 2021-shit do të mbahet mend si dita kur, veç se u qartësua përfundimisht çarja më dysh edhe në mënyrë nominale mes anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike, por edhe shprehja hapur e antiamerikanizmit të berishistëve. Simpatizantët e “Non gratës” Sali Berisha u drejtuan për te kutitë e “referendumit” të tij në gjithë Shqipërinë për të “certifikuar” shkarkimin e Bashës në krye të PD-së, ndërsa të tjerët, për në Pallatin e Kongreseve në Tiranë ku zhvillohet Kuvendi i partisë legale që kryeson Lulzim Basha…

Por, në këtë 18 dhjetor, drejt kutive të “referendumit” për të “certifikuar” vendimin që morën mbështetësit e Berishës më 11 dhjetor në “Sport Arena” për të shkarkuar kreun legjitim të PD-së, nuk shkuan të gjithë ata që, nga urrejtja për Lulzim Bashën, ishin shpirtërisht me Foltoren.

Mes këtyre ish politikanëve të lartë të mbetur jashtë listave të Bashës, të bie në sy se, ndërsa Ristani e Nishani e co., iu bashkuan duke marrë pjesë fizikisht që në fillim Foltores antiamerikane, Astrit Patozi dhe Jozefina Topalli, ngaqë ishin nxituar të krijonin më parë partitë e tyre dhe kështu ishin larguar ligjërisht nga PD-ja, patën qasje tjetër me Foltoren e “Non gratës” Berisha… Edhe këtë 18 dhjetor të dyzuar të demokratikasve, kur Ristan, Nishan e co. nxituan drejt kutive të paligjshme të Berishës të hedhin votën pro tij për të shkarkuar kryetarin legjitim Lulzim Basha, Patozi e Topalli nuk shkuan drejt tyre. Nuk shkuan fizikisht, por kam bindjen se shpirtërisht ishin aty, duke votuar pro asaj që kërkon “Non grata” Berisha.

Dhe e gjithë kjo, për të vetmen arsye, se nuk kuptojnë, apo s’s’duan të pranojnë një fakt, që nxjerrja jashtë politikës si politikanë të lartë nga Partia Demokratike, duke i lënë jashtë listave për kandidatë të këtij formacioni politik në zgjedhjet parlamentare të 30 korrikut 2017, nuk ishte punë e Lulzim Bashës.

Pra, nxjerrja jashtë politikës e ish Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, të ish kryetarit të Grupit Parlamentar Astrit Patozi, apo sekretarit të PD-së Arben Ristani, nuk ishte mirëfilli punë e Lulzim Bashës. Kot i bien në qafë atij… Edhe Jozefina kot e ka inatin me Lulin. Megjithëse ajo nuk e pranon ose nuk do ta pranojë këtë, eleminimi i saj, nuk është drejtpërdrejtë punë e Lulzim Bashës. Këto ditë, Jozefina i është bashkuar shpirtërisht foltoreve të Sali Berishës dhe, studio më studio televizioni, shan e vjell vrer kundër Lulit. Ajo harron, ose bën sikur, që largimin e saj nga PD e ka prej Sali Berishës, kur, pasi dha dorëheqjen formalisht si kryetar i saj pas zgjedhjeve të qershorit të 2013-s, u luajti syrin të tijve që, më 22 korrik të votonin në vend të tij, të katapultuarin po prej atij vetë, Lulzim Bashën. Siç dihet, falë kësaj loje të Sali Berishës, në zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha fitoi kundrejt kandidatit tjetër Sokol Olldashi me mbi 80% të votave të anëtarësisë së PD-së. Po ashtu dihet shumë mirë se, në atë garë, ku për herë të parë u zbatua parimi “një anëtar një votë”, përkrahja e Berishës në favor të Lulzim Bashës ishte jo vetëm ashiqare, por edhe e monitoruar rreptësisht prej tij. Me frikën se mos fitonte Sokol Olldashi, për të kontrolluar votën e votuesve, çdo fletë votimi kishte një numër rendor(!!!). Pra, më 22 korrik 2013, për të bërë kryetar të PD-së atë që donte, duke zbatuar parimin “një anëtar një votë”, por hapur, pasi orientoi, Sali Berisha edhe i kontrolloi votuesit e tij të “votonin” për Lulzim Bashën.

Atë ditë morën fund karrierat politike e gjithë atyre që i bënin hije Lulzim Bashës. Pas 23 korrikut 2013 u bë e kuptueshme se nuk kishte vend më në PD për Patoz, Bode, Ristan, Nishan e co. Për Jozefinë, jo dhe jo.

Po ta vëresh me kujdes, edhe historia e këtyre që përmendëm, mbetet pak a shumë si pasqyra e historisë e të gjithë të përzënëve nga ajo parti prej Sali Berishës. I vetmi ndryshim është se, ca nga këta të përzënë, ose nuk e kuptojnë nga u ka ardhur e keqja, ose bëjnë sikur nuk e dinë që Berisha kur “iku” nga kryetarllëku, “harroi” të lobonte për ndonjërin nga ata…

Kështu që edhe Jozefina e ka kot që i bie në qafë Lulzim Bashës dhe bashkon zërat me ata të Foltores. Sidomos tani. Ajo duhet ta pranojë që ai s’ka të bëjë fare me historinë që asaj i dhemb aq shumë…

“Non gratën” që mori në PD më 2017-n, Jozefina dhe ca të tjerë nga ata që përmendëm më lart, e ka marrë që më 2013 nga “Non grata” amerikane që u shpall më 2021-shin.

Kthjellohu Jozefinë! “Non gratën” në PD e ke nga antiamerikani Sali Berisha qysh në qershor të 2013-s.

Ku qershori i 2013-s? Ku korriku i 2017?… Dhe ku shtatori i 2021-shit?

Prandaj të them: Ç’ke me Lulin ti moj Jozefinë?! Ç’do ti në Foltore?! Kush tjetër, veç atij që të vuri “Non gratën” në PD ty, ka nevojë për foltore antiamerikane?

E di ti Jozefinë se cila fjalë sot tingëllon si sinonim qesharak me fjalën nevojtore?

Ta them unë: Ajo që mbështet ti.

Ç’do ti në “referendumin” e “Non gratës”?! Mos na thuaj: “Jo. S’kam shkuar, s’kam votuar”!

Të gjithë të kemi parë. Zemrën ke hedhur me kohë në nevojtoren e Berishës. Edhe sot në kutinë antiamerikane të 18 dhjetorit 2021…
Mos thuaj: “Nga inati për Lulin”!
Nuk na dukesh aq mendje lehtë…