Tre persona kanë rënë në prangat e policisë këtë të hënë, pasi kanosën administratorin e një kompanie private në Cërrik, që të tërhiqej nga procedura e konkurrimit për tenderin që kishte fituar në Bashkinë e Tiranës. Ndërkohë që një tjetër shtetas është shpallur në kërkim.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Tenderi”, bëhet me dije se u kapën dhe u ndaluan shtetasit: E. B, 37 vjeç, A. A. 27 vjeç dhe Sh. A, 62 vjeç, tre banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. K., 38 vjeç, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim. Sipas Policisë administratori me iniciale E. M. nuk ka pranuar të tërhiqet dhe këta shtetas e kanë kërcënuar se do të vrisnin atë dhe familjarët e tij.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti i përdorur nga autorët dhe 8 aparate celulare.

Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.