Sot u mbajt seanca e radhës në GJKKO për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu për çështjen ‘Gërdeci’.

Sot janë thirrur për të dëshmuar 7 dëshmitarë për Gërdecin. Mes tyre dhe ish-ministri Aldo Bumçi, i cili ka pretenduar se faksi për ‘Shkëlzen Berishën’ është fals.

Ai tha se kishte bërë një kallëzim pas shpërthimit në Gërdec, duke pretenduar se ishte e falsifikuar dhe se sipas tij ka qenë detyra e Prokurorisë së Tiranës aso kohe që ta hetonte.

Bumçi ka pranuar të paktën dy takime me Shkëlzen Berishën në zyrë, por pretendon se djali i ish kryeministrit Berisha nuk i ka shkuar në zyrë për çështje pune, por për çështje politike.

“2 muaj para se të ndodhte ngjarja e kam takuar Shkëlzenin, por për arsye elektorale. Dy here por jo per çështjet e demontimit. Faksi i gjetur te zyra ime është i falsifikuar, e kam bërë kallëzim këtë”– ka thënë Bumçi.

Në seancën e sotme ka dëshmuar edhe ish-sekretarja e Bumçit e cila ka deklaruar se në atë kohë kur është dërguar faksi ka qenë me leje lindje.