Tre persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar nga policia shqiptare. Në Tiranë është kapur Ruzhdi Marku, 30 vjeç, banues në Tiranë. Ndaj tij, Gjykata e Torinos në Itali i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Në Vlorë është arrestuar Klodian Çobo, 37 vjeç, banues në fshatin Mifol të Vlorës, ndaj të cilit Gjykata e Torinos ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Organizatë kriminale me drejtim trafikimin e narkotikëve”.

Ndërsa në Elbasan është arrestuar Besmir Dinellari, 31 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos në Itali, më datë 11.02.2020, i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Italisë.