Kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë pas kërkesës së SPAK për arrestimin e deputetit Alqi Bllako, si të përfshirë në çështjen e inceneratorëve.

Rama tha se gjithçka po ndodh është përgjigja për të gjithë ata që nuk besonin në reformën në drejtësi, kur u pyet nga gazetarët për akuzat e ngritura nga SPAK ndaj deputetit socialist, Alqi Bllako.

Rama tha se deputetët janë të popullit dhe përpara ligjit të gjithë janë të barabartë.

“Individët janë të vetes dhe përpara ligjit nuk ka deputet, nuk ka ministra, nuk ka politikanë, nuk ka të fortë, nuk ka të privilegjuar, janë të gjithë të barabartë. Në nivel njerëzor, personal jam shumë i keqardhur”, tha Rama për gazetarët para selisë së Partisë Socialiste.

“Nuk ka përgjegjësi kolektive, por zgjedhjet që bën në jetë bazohen mbi një sërë arsyesh dhe kriteresh të cilat nuk prezumojnë për askënd se kush zgjedh është përgjegjës, nëse i zgjedhuri në një ditë të caktuar shkel ligjin”.

“Habitem që ka akoma nevojë për të tilla pyetje, ndërkohë që gjithçka po ndodh nuk është gjë tjetër veç se përgjigja për të gjithë ata që nuk besonin se në Shqipëri do të bëhej një reformë në drejtësi, që edhe njerëz me pushtet do të shkonin para drejtësisë, nuk besonin që këtë reformë e ndërmorëm, dhe unë personalisht, me shumë vendosmëri, bashkë me PS, e kemi udhëhequr dhe do të vazhdojmë ta mbështesim jo për të kapitur drejtësinë, por për të krijuar kushtet që me kohë, mund, durim e me ngritjet e uljet e veta, procesi të bëjë të mundur që të kemi drejtësi për gjeneratën tjetër”.

I pyetur nëse ndjen përgjegjësi për vendosjen e Bllakos në listën e deputetëve të PS, Rama tha: “Edhe kjo kërkon vazhdimisht një përgjigje sepse ende sot dhe çuditërisht nga ata që për arsye të panjohura i thonë vetes antikomunist, përsëritet një opinion i kthyer në akuzë, pyetje, që i përket kohës së përgjegjësive kolektive të sistemit komunist. Nuk ka përgjegjësi kolektive në sistemin demokratik. Edi Rama: Qëndrova për respekt dhe nuk ndërpritet tjetri. Ky është minimumi etik. Nuk ka përgjegjësi kolektive dhe zgjedhjet e njerëzve në jetë, zgjedhjet e njerëzve me të cilët vendos të lidhësh jetën, zgjedhjet e njerëzve vendos të bësh një projekt, bazohen në një sërë arsyesh dhe kriteresh, të cilat nuk prezumojnë për askënd se kush zgjedh është përgjegjës nëse i zgjedhuri në një ditë shkel ligjin. Për këtë arsye, gjërat janë krejtësisht të ndara. Sot që flasim, përgjigja ime është në parim. Në rastin konkret dhe në të gjitha rastet, këtë nuk e caktoj as unë dhe as ju, derisa drejtësia të thotë fjalën e fundit, këta njerëz janë të pafajshëm”, tha Rama.