Këshilli i Bashkimit Europian ka vlerësuar vazhdimësinë e reformave të ndërmarra nga Shqipëria me qëllim avancimin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Në konkluzionet e miratuara në fund të takimit të më 14 dhjetor në Bruksel, thuhet se Këshilli i BE pret që takimi i parë ndërqeveritar të mbahet “sa më shpejt të jetë e mundur”.

BE vlerëson procesin zgjedhor të prill 2021 dhe bën thirrje për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Nga ana tjetër thuhet se dialogu politik konstruktiv mbetet vendimtar dhe në këtë kontekst Këshilli i Be mirëpret rikthimin e opozitës në Parlament.

Këshilli i BE vlerëson progresin në sundimin e ligjit dhe sidomos reformën në drejtësi. Në dokument thuhet se strukturat e reja kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë dhënë rezultate të para pozitive.

BE kërkon që të ruhet ky ritëm si dhe të përfshihet luftimi i korrupsionit në nivel të lartë duke çuar deri në dinim përfundimtar.

BE i kërkon Shqipërisë që të bëjë progres të prekshëm në respektimin e lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve.

Në këtë prizëm, kërkohet që ligji për mediat të jetë në një linjë me rekomandimet që ka bërë Komisioni i Venecias.

Këshilli i BE ka vlerësuar rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe përpjekjet e saj për të pasur marrëdhëniet të mira me fqinjët.

Rruga për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-BE është hapur prej muajit mars, por një gjë e tillë është penguar nga vetoja që Bullgaria ka vendosur ndaj Maqedonisë së Veriut.

Për shkak të ndryshimit të metodologjisë së zgjerimit, Shqipëria dhe RMV po trajtohen bashkërisht në rrugën e integrimit në BE. dhe pa heqjen e vetos nga Bullgaria, mbajtje e konferencës do të jetë e pamundur pasi kërkohet vendim unanim nga vendet anëtare të BE.