Në konferencën e nivelit të lartë “Forcimi i Integritetit & Lufta kundër Korrupsionit: Arritjet e Fundit” ambasadorja, Yuri Kim, deklaroi se shqiptarët meritojnë një qeverisje që punon në emër të tyre dhe përmirëson jetën e tyre. Në fjalën e saj, diplomatja amerikane bëri apel për të ndëshkuar të korruptuarit në mënyrë që të kthehet besimi i njerëzve.

Sipas saj qeveritë duhet të krijojnë mënyra për t’i gjetur dhe dënuar për t’u siguruar që të gjithë janë të barabartë dhe trajtohen me drejtësi.

Fjala e ambasadores Yuri Kim

“Është një shenjë pozitive që Shqipëria diskuton një temë thelbësore për të ardhmen. Jemi të përkushtuar për një të ardhme demokratike e të sigurtë të Shqipërisë. Është  në interes të SHBA të ketë një aleat të aftë të bëjë pjesën e saj. Të demostrojë që qeveria po punon në emër të qytetarëve, e jo të interesave të ngushta. Qytetarët e Shqipërisë, si kudo meritojnë qeverisje të mirë. Meritojnë të kenë besim se fondet publike, po përdoren për të përmirësuar jetën e tyre.  Ekzistojnë pengesa serioze për qeverisje të mirë, si zyrtarë të korruptuar, sektor drejtësie të kapur nga interesa politikë, gazetarë që raportojnë për interesa të caktuara, ose të kërcënuar kur raportojnë korrupsionin, poste zyrtare për interesa vetjake ose partiake etj.

Pandemia i ka bërë rreziqet edhe më të qarta. Çdo sektor i kujdesit shëndetësor, është i mbushur për mundësi për korrupsion, për shkak të masës së buxhetit të tij,  por në kohë si këto, korrupsioni do të thotë jo vetëm shpërdorim i panevojshëm, por nënkupton jetë apo vdekje.

Të gjitha qeveritë kudo vuajnë nga një nivel korrupsioni. Edhe SHBA nuk është e përjashtuar nga kjo, por qeveritë mund të kufizojnë mundësitë për korrupsion dhe mund të dënojnë ata që përdorin postin e tyre publik për të pasuruar veten ose partinë e tyre. Sigurisht policë, prokurorë e gjyqtarë të pavarur, janë thelbësor për qeverisjen e mirë. Shqipëria duhet të nisë raportet periodike të performancës për gjyqtarët e prokurorët, për të siguruar administrim të drejtë e efektiv të drejtësisë.

Do të ketë gjithmonë aktorë të këqinj. Qeveritë duhet të krijojnë mënyra për t’i gjetur dhe dënuar për t’u siguruar që të gjithë janë të barabartë dhe trajtohen me drejtësi. Kur ta bëni këtë,  do të keni fituar besimin e njerëzve.

Shqipëria e ka nisur në këtë rrugë dhe reforma në drejtësi ka filluar të tregojë rezultate. Në Mars ju morët një dritë jeshile nga BE. SPAK ka drejtorin e parë të BKH-së. Dhe së fundmi, GRECO tregoi përparim në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit. Nëse Shqipëria vazhdon këtë rrugë, ajo mund të bëhet një model i reformave të qeverisjes së mirë në vazhdim – reformat që ne kemi dhe do të vazhdojmë të mbështesim

Kjo është një mundësi për të vlerësuar përparimin e bërë. Reformat do të vazhdojmë t’i mbështesim. Mbetemi thellësisht të përfshirë në forcimin e SHÇBA, duke ofruar trajnime. Ne përshëndesim përpjekjet e KLGJ dhe Gj Lartë, për të vendosur funksionalitetin. Presim me kënaqësi të shohim më shumë rezultate, janë të nevojshme për ju e për të ardhmen tuaj. Jemi krenar që jemi krah jush.”